Analisti Eduard Zaloshnja theksoi në emisionin “Real Story”, në News24, se Shqipëria po kalon dallgën e dytë të koronavirusit.
Sipas tij, dallga e parë ishte deri para 15 prillit dhe ishte e ulët dhe komunitare. Ndërsa, dallga e dytë, shton Zaloshnja, është më e madhe dhe nuk dihet sa e lartë do të jetë, nëse nuk do të ketë testim, gjurmim dhe izolim.
“Kemi dy dallgë, njëra që pati një kulm nga marsi dhe u ul në fillim të prillit. Te vatra e Krujës filloi dallga e dytë. Dallga e parë ishte e vogël, por komunitare, që do të thotë është një lagje, një fasoneri, një burg. Statistikisht ne sot jemi i dyti nga fundi në Evropë për vdekje për million banorë, i dytë në Ballkan dhe Evropë për të sëmurë.
Ne patëm një dallgë shumë të ulët, që pothuajse mbaroi para 15 prillit, por ishin vatrat e Shkodrës, Krujës, burgut të Tiranës, që e ngritën sërish. Dallga e dytë nuk dihet sa e lartë do të jetë, por varet sa efektive do të jetë testimi, gjurmimi, izolimi”, tha Zaloshnja.
(BalkanWeb)