Qytetarët e Danimarkës janë deklaruar në referendum se vendi i tyre duhet të jetë pjesë e politikës së përbashkët evropiane të mbrojtjes. Rezultati i fundit është i bindshëm për shkak të luftës në Ukrainë.

Një rregullore speciale prej tre dekadash e Bashkimit Evropian për Danimarkën së shpejti do të jetë vetëm histori. Në një referendum, pothuajse 67 përqind e votuesve danezë u deklaruan në favor të heqjes së të ashtuquajturës rezervë të mbrojtjes së BE-së, siç u njoftua zyrtarisht në Kopenhagë.

Danimarka dërgon kështu një “sinjal shumë të rëndësishëm” për aleatët e saj në NATO dhe në Evropë, por edhe për presidentin rus Vladimir Putin, tha kryeministrja Mette Frederiksen. “Ne tregojmë se kur Putin pushton një vend të lirë dhe të pavarur dhe kërcënon stabilitetin e Evropës, atëherë ne të tjerët afrohemi edhe më shumë së bashku.”

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte ndër të parët që uroi danezët për këtë referendum: “Jam e bindur se Danimarka dhe BE do të përfitojnë nga ky vendim,” shkruan ajo në Twitter. Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel shkroi: “Populli i Danimarkës ka marrë një vendim historik”.

Nuk ka interesim për misione ushtarake

Anëtari themelues i NATO-s, Danimarka ka qenë anëtare e BE-së që nga viti 1973 (fillimisht Komuniteti Evropian). Megjithatë, në vitin 1992, rreth 51 përqind e danezëve e hodhën poshtë Traktatin e Mastrihtit, i cili, përveç një bashkimi ekonomik dhe monetar evropian, parashikon edhe një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë për BE-në.

Por në vitin 1993 danezët ranë dakord për traktatin në votimin e dytë, pasi atyre u ishin dhënë një sërë të drejtash speciale. Midis tyre ishte edhe garancia se Danimarka nuk do të duhej të bashkëpunonte me vendet e tjera të BE-së për çështjet e politikës së mbrojtjes. Vendi i Evropës veriore deri më tani ka qëndruar larg operacioneve të përbashkëta ushtarake të BE-së.

Megjithatë, pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt ndryshoi qëndrimin e shumë danezëve dhe qeverisë së tyre. Frederiksen shpalli referendumin vetëm dy javë pas pushtimit rus. Që atëherë, socialdemokratja ka bërë fushatë për shfuqizimin e rregullit special. Njëmbëdhjetë nga 14 partitë daneze u kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre që të votojnë “po” në referendum. Vetëm dy parti ekstremiste të krahut të djathtë dhe një ekstremiste e majtë ishin për një “jo”. E në fund rezultati ishte shumë i bindshëm në favor të heqjes së rregullit special dhe bashkëpunimit në këtë fushë me vendet e tjera të BE./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb