TIRANE- Lufta ndaj korrupsionit ka qenë tema kryesore e bisedës që drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Christian Danielsson, ka zhvilluar sot me kreun e ILDKPKI, Shkëlqim Ganaj. Gjatë një vizite në Inspektratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Danielsson tha se KE mbështet këtë institucion në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Danielsson tha se BE ka pritshmëri të lartë për punën e pavaruar të këtij institucioni.

“Më lejoni të jemi i qartë për një gjë, është një institucion tejet i rëndësishëm sepse është thelbësore që në mënyrë të pavarur ky institucion të trajtojë çështje që kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit por edhe me reformën në drejtësi. Kam mundur t’i konfirmoj zotit Ganaj mbështetjen e fortë për këtë institucion dhe pritshmëritë që kemi ne që ky institucion të vazhdojë të punojë i pavarur në çështje të rëndësishme. Deklarimi i aseteve është pjesë e rëndësishme e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Danielsson.

Nga ana e tij, kreu i ILDKPKI, Shkëlqim Ganaj, garantoi Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, se institucioni që ai drejton do të punojë pa u ndikuar potlikisht.

“E garantova që ne do të avzhdojmë të kryejmë detyrën të pandikuar absolutisht nga politika dhe të pashantazhueshëm nga cilido”, tha Ganaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb