Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen përsëriti sot mbështetjen e vendit të saj për lëvizjen opozitare të Bjellorusisë, një ditë pas takimit me udhëheqësen e saj në mërgim, Svetlana Tikhanovskaya.

“Të drejtat demokratike nuk duhet të merren kurrë të mirëqena, sepse këto të drejta na japin mundësinë të marrim pjesë në zgjedhje të lira dhe të themi atë që mendojmë”, shkroi Frederiksen në një postim në Facebook.

“Kryengritja popullore e javëve të fundit në Bjellorusi është një kujtesë e frikshme se ka ende shumë punë për të bërë, gjithashtu, edhe në Europë”, shtoi ajo.

Frederiksen vuri në dukje se Danimarka i ka mbështetur sanksionet e BE-së kundër presidentit autoritar Alexander Lukashenko, i cili fitoi zgjedhjet e diskutueshme presidenciale në gusht dhe që u etiketuan nga Blloku si as të lira dhe as të drejta.

Frederiksen u takua me Tikhanovskaya-n në zyrën e saj në Kopenhagë, duke theksuar se ajo është një udhëheqëse e fortë dhe frymëzuese, së cilës i është dashur të sakrifikojë shumë për atdheun e saj.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb