NGA ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANË- Të hënën, më datë 7 shtator, nisin aplikimet për zhvillimin e praktikës profesionale në mësuesi për vitin shkollor 2015-2016. Njoftimi është bërë nga Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë (DART), sipas së cilës, data e mbylljes së aplikimeve do të jetë në varësi të numrit të aplikuesve. “Aplikimet për paraqitjen e dokumenteve fillojnë në datën 7 shtator, ora 12:00 – 14:00, dhe do vazhdojnë derisa të plotësohet numri i miratuar nga MAS”, njofton Drejtoria Arsimore e Tiranës. Kandidatët që kanë mbaruar studimet e larta për mësuesi, duhet të dorëzojnë brenda afateve dokumentacionin e nevojshëm për të bërë praktikën profesionale, pasi në të kundërt nuk kanë të drejtë të hyjnë në Provimin e Shtetit. Dhënia e provimit të shtetit është e vetmja mundësi që studentët që kanë mbaruar për mësuesi të marrin licencën e ushtrimit të profesionit. Këtë vit, praktikantët e rinj praktikën pritet ta nisin në datën 28 shtator dhe ta mbyllin në fund të muajit qershor.
Dokumentet & afatet
Drejtoria Arsimore Tiranë njofton se janë hapur aplikimet për zhvillimin e praktikës profesionale për vitin e ri shkollor 2015-2016. Kandidatët për praktikën duhet të dorëzojë në DAR Tiranë, duke filluar nga data 7 shtator, këto dokumente: Kërkesë për zhvillimin e praktikës profesionale (formatin e të cilit e gjejnë pranë faqes zyrtare të DART); CV e praktikantit; Fotokopje e noterizuar e dokumentit të identifikimit; Fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare të ciklit të parë dhe të dytë “Master Shkencor”, “Master profesional” në mësuesi; Fotokopje e noterizuar e listës së notave të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë; Raport mjeko-ligjor; Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale si dhe dokument të vendbanimit.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Arsimore të Tiranës, lista e institucioneve të arsimit parauniversitar, ku praktikanti do të fillojë praktikën profesionale, shpallet në DAR Tirana në datën 25 shtator. Praktikanti fillon praktikën profesionale pranë institucionit arsimor ku është përcaktuar në datën 28 shtator 2015, dhe e përfundon atë në fund të qershorit 2016. Për të hyrë në sistemin arsimor, të gjithë studentët duhet që të përfundojnë praktikën profesionale, e cila është 9 muaj, sa kohëzgjatja e një viti shkollor.

Pas përfundimit të praktikës, mësuesit e rinj kanë të drejtë të hyjnë në provimin e shtetit dhe nëse e kalojnë me sukses këtë provim, ata marrin të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit. Për studentët që do përfundojnë praktikën në qershorin e vitit të ardhshëm, provimi i shtetit do zhvillohet në muajin korrik.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: