Kampioni i botës, sulmuesi aktual i PSG-së, Lionel Messi, u takua përsëri me Sergio Busquets dhe Jordi Alba në një darkë që u zhvillua të hënën në mbrëmje në Barcelonë, në lagjen “Born”, së bashku me partneret përkatëse të tre lojtarëve.

Argjentinasi, i cili ende nuk e ka rinovuar kontratën e tij me ekipin parizien dhe e ardhmja e tij është më e pasigurt se kurrë, është rikthyer në kyeqytetin katalanas.

Ishte gruaja e yllit argjentinas, Antonela Roccuzzo, e cila ngarkoi foton nga kjo darkë në profilin personal të Instagramit. Ish-kapiteni i Barçës ende nuk e ka zgjidhur të ardhmen e tij.

Ky zbarkim në Barcelonë ka ndezur kureshtjen e tifozëve blaugrana, të cilët ëndërrojnë kthimin e tashmë kampionit të botës në “Camp Nou”, për ta mbyllur aty karrierën e jashtëzakonshme. Megjithatë, babai dhe përfaqësuesi i tij, Jorge Messi, ka mohuar para disa ditësh se ka pasur ndonjë kontakt me presidentin Joan Laporta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb