Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar ditën e sotme kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Selenicës Leonard Rakipaj në një mbledhje me mbështetësit e tij.

Berisha ka deklaruar se vendi, ashtu si në vitin 1991, ndodhet në një monizëm të plotë, ndërsa shtoi se kryeministri Rama kontrollon 10% më shumë pushtete sot se Ramiz Alia gjatë qeverisjes së tij.

Ai foli edhe për raportin e DASH për Shqipërinë, për të cilin tha se ka denoncuar vjedhjet e djegësave, ku “237 milionë dollarë kanë përfunduar në xhepat e Edi Ramës dhe njerëzve të tij”.

Berisha vijoi më tej duke thënë se Rama “shtrohet” me biftekë me vlerë 1000 euro dhe me darka me kosto 10 mijë euro, teksa fluturon me avion privat duke mos i interesuar për qytetarët.

“Jemi në një moment thirrjeje pasi shoqëria shqiptare, populli shqiptar, përjeton në një farë mënyre një nga momentet absolutisht më dramatike të historisë sonë kombëtare. Ne jemi pakësuar dhe po pakësohemi, po shkretohemi me shpejtësi të pabesueshme.

Sot njëlloj si në vitin 1991 jemi në monizëm të plotë. . Edi Rama kontrollon 10% më shumë pushtete se Ramiz Alia në 1991.  Bandat  dhe vrasësit janë njerëzit e preferuar të ministrave të Ramës sepse përmes tyre ata realizojnë fitimet që nuk i nxjerrin dot me ligjet dhe kjo është arsyeja e lidhjes me krimin dhe drogën. Edi Rama monizmin e tij e bazon në vjedhjen e shqiptarëve.

Kemi folur për vjedhjet e qindra miliona eurove me djegësat, në Durrës, me tendera sekrete dhe kudo. Dje DASH denoncoi vjedhjet e djegësave, 237 mln dollarë janë zhdukur në xhepat e Edi Ramës dhe njerëzve të tij. Pra, këta vjedhin po vjedhjet më të mëdha i bëjnë në punët publike.

Rrugët anësore Lekaj-Fier kushtojnë me Edi Ramën 2.2 herë më shumë se vetë autostrada apo vetë bypassi i Fierit. A mund të imagjinohet kjo? Këta ndërtojnë kilometrin me 24 milionë euro në fushë. Deri në 90% të fondeve publike për një punim e vjedhin.

Këto janë realitete, këta jetojnë vetë në mënyrë përrallore. Ai udhëton me avion, shpenzon 22 milionë euro me avionin privat me dhomë gjumi brenda. Shtrohet me biftekë 1000 euro, me darkë 10 mijë euro dhe për qytetarët nuk duan t’ia dinë.

Ne jemi vend plot ujëra, një nga pasuritë më përrallore janë ujërat në Shqipëri. Janë ndërtuar mbi 100 HEC-e që prodhojnë 58% të energjisë në vend, kjo do të thotë eksport energjie. 2 vitet e fundit janë prodhuar 2 miliardë euro energji nga ujërat që më parë derdheshin në det, as për vaditje nuk shkonin. A fituan gjë shqiptarët nga kjo? Fituan bizneset çmimin e energjisë elektrike nga lufta në Ukrainë që ne nuk kishim asnjë lidhje. Ka ndikuar vjedhja, rroftë sebepi. Digat që mbushen plot, gjithë verën në vend t’i konservojnë i zbrazin në kundërshtim me ligjin dhe ua shesin sekserëve të vetë. Janë kompani që blejnë dhe shesin energji. E shesin me 15 euro dhe ata e shesin me 150 euro e me 200 euro dhe fitimin e ndajnë me Edi Ramën dhe ministrat”, tha Berisha ndër të tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: