Një zëdhënëse e Departamentit Amerikan të Shtetit tha se SHBA kanë identifikuar 3 botime të drejtuara nga zbulimi rus që përhapnin informacione të rreme për vaksinat Pfizer dhe Moderna. Por këto akuza janë mohuar nga Kremlini.

Zëdhënësja tha se publikimet në fjalë “kanë përhapur shumë lloje dizinformimesh, duke përfshirë ato për vaksinat Pfizer dhe Moderna, si dhe për organizata ndërkombëtare, për konflikte ushtarake, protesta dhe për çdo çështje që mund të krijojë përçarje dhe që ata mund ta shfrytëzojnë”.

Gazeta Wall Street Journal (WSJ) raportoi e para për identifikimin e fushatës dizinformuese. Kremlini i mohoi pohimet amerikane se Rusia po përhap informacione të rreme rreth vaksinave. Rusia e miratoi vaksinën e saj Sputnik V në muajin gusht, para se të fillonte një provë në shkallë të gjerë, duke thënë se ishte vendi i parë që realizoi vaksinën kundër COVID-it. Testimet e vlerësuara nga ekspertët e fushës disa muaj më vonë provuan se vaksina ishte rreth 92% e efektshme në luftimin e virusit.

Pfizer, me seli në New York dhe BioNTech në Gjermani, prodhuan vaksinën e parë të autorizuar në Shtetet e Bashkuara, të cilën rregullatorët e miratuan në muajin dhjetor. E dyta, e prodhuar nga Moderna, me qendër në Masaçusets, u autorizua po atë muaj. Zëdhënësja tha se publikimet ruse u identifikuan nga Qendra Globale e Angazhimit pranë Departamentit të Shtetit, e ngritur për t’iu kundërvënë fushatave të propagandës dhe dizinformimit.

Ajo tha se “Departamenti do të vazhdojë të ekspozojë aktivitetet keqdashëse të Rusisë në internet.” “Ne gjithashtu do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë për një përgjigje globale kundër dezinformimit,” shtoi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: