TIRANË

Departamenti Amerikan i Shtetit e rendit ish-kreun e KED Ardian Dvoranin mes 12 kampionëve kundër korrupsionit.

Ambasada e SHBA-ve ka sjellë deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken, i cili ka shpallur çmimin ndërkombëtar të DASH për kampionët kundër korrupsionit duke nderuar 12 persona.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rindërtojnë partneritetet tona, të bazuara në parime të përbashkëta si sundimi i ligjit. Në këtë frymë, unë me krenari shpall Çmimin Ndërkombëtar të Departamentit të Shtetit për Kampionët Kundër Korrupsionit dhe nderoj 12 individë të përkushtuar ndaj transparencës dhe llogaridhënies”, citon ambasada e SHBA, sekretarin e Shtetit Anthony Blinken.

Ambasada E Shba Fb
Ambasada E Shba Fb

Mes kampionëve të parë Kundër Korrupsionit të nderuar nga Departamenti i Shtetit është dhe gjyqtari dhe Anëtari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani.
“Në të gjithë botën, korrupsioni kërcënon sigurinë dhe stabilitetin, pengon rritjen ekonomike, minon demokracinë dhe të drejtat e njeriut, shkatërron besimin në institucionet publike, lehtëson krimin transnacional. Administrata e Biden pranon që ne do të jemi të suksesshëm në luftimin e këtyre çështjeve duke punuar në bashkëpunim me partnerë të përkushtuar, duke përfshirë individë të guximshëm që përkrahin përpjekjet antikorrupsion dhe vendet që punojnë për të përmbushur zotimet e tyre ndaj standardeve ndërkombëtare të antikorrupsionit. Për atë arsye, unë jam duke shpallur një Çmim të ri Ndërkombëtar të Kampionëve Antikorrupsion, duke njohur individë që kanë punuar pa u lodhur, shpesh përballë fatkeqësive, për të mbrojtur transparencën, për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar llogaridhënie në vendet e tyre”, shprehet Blinken.

“Siç e ka theksuar Presidenti Biden, angazhimi ynë për të vërtetën, transparencën dhe llogaridhënien është një mision që ne duhet të jetojmë në shtëpi dhe ta ilustrojmë jashtë. Unë përgëzoj përkushtimin e këtyre 12 individëve trima për të njëjtat ideale. Të nderuarit janë: Ardian Dvorani i Shqipërisë, Diana Salazar e Ekuadorit, Sophia Pretrick e Shteteve të Federuara të Mikronezisë, Juan Francisco Sandoval Alfaro i Guatemalës, Ibrahima Kalil Gueye i Guinesë, Anjali Bhardwaj i Indisë, Dhuha A. Mohammed nga Iraku, Bolot Temirov të Republikës së Kirgistanit, Mustafa Abdullah Sanalla të Libisë, Viktor Sotto nga Filipinet, Francis Ben Kaifala nga Sierra Leone dhe Ruslan Ryaboshapka të Ukrainës. Ata na frymëzojnë ne dhe kaq shumë homologë të tyre që ndjekin këto ideale në të gjithë botën. Shtetet e Bashkuara zbatojnë një nga kornizat më të fuqishme antikorrupsion në botë. Ne ishim të parët që kriminalizuam ryshfetin e huaj dhe, në partneritet me homologë të huaj, kemi rimarrë dhe kthyer më shumë se 1 miliard dollarë në asete publike të vjedhura vetëm në dy vitet e fundit. Ne përdorim një sërë mjetesh për të promovuar përgjegjësinë për individët e korruptuar, për të luftuar pandëshkueshmërinë globalisht dhe për t’u angazhuar në forume shumëpalëshe për të luftuar korrupsionin dhe forcuar angazhimin e qytetarëve. Ne do ta mposhtim korrupsionin duke zbatuar reforma të shëndosha në përputhje me angazhimet ndërkombëtare antikorrupsion; zhvillimin e institucioneve transparente, të përgjegjshme; dhe fuqizimin e qytetarëve, gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile për të ndihmuar në mposhtjen e këtij kërcënimi global ndaj sigurisë dhe demokracisë”, thekson më tej Blinken.

Kujtojmë se Presidenti i Republikës Ilir Meta ka paditur në SPAK ish-kreun e KED, pas një përplasjeje dhe akuzave për “përpjekje për të vënë nën kontroll procesin e emërimeve” në Gjykatën Kushtetuese duke tentuar sipa tij “të marrin kompetencat e Kreut të Shtetit, apo duke falsifikuar shkresat për botimin në Fletoren zyrtare”. Po kështu, një nismë e Metës pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, çoi në largimin e zotit Dvorani nga Gjykata e Lartë e për pasojë dhe nga KED-ja.

Opinioni i Venecias i dha të drejtë kreut të Shtetit për mënyrën se si veproi në rastin e përplasjes për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb