GJIROKASTER

Ish-kryekomunari i fshatit Lazarat, Dasho Aliko është zgjedhur kryetari i ri i PD në Gjirokastër. Kandidat për kreun e kësaj dege kanë qenë Dasho Aliko dhe Gjergji Dudi, ndërsa në procesin zgjedhor kanë marrë pjesë 255 delegatë të zgjedhur nga të tre njësitë vendore Bashkia Gjirokastër, Bashkia Libohovë dhe Bashkia Dropull.

Pas procesit të votimit që zgjati dy orë, Dasho Aliko ka dalë fitues me 166 vota kundrejt 76 vota të Gjergji Dudit dhe 13 vota të pavlefshme.

Dasho Aliko është një prej themeluesve të PD në Gjirokastër. Për 12 vjet ai ka qenë kryetar i Komunës së Lazaratit. I pranishëm në këtë proces zgjedhor ka qenë edhe deputeti i PD për Qarkun e Gjirokastrës Tritan Shehu.

Dasho Aliko zëvendëson, Roland Bejkon i cili e ka drejtuar këtë degë për katër vite.  Bejko u tërhoq nga gara pak ditë më parë. Ai do të mbajë postin e sekretarit për çështjet e pushtetit vendor dhe organizimit territorial në PD qendrore.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb