DURRËS – “Dashuri me çdo kusht” është shfaqja më e re që do të çelë sezonin artistik të teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Një komedi romantike e frymëzuar nga skenari për film i autores Adrienne Shelly, përshtatur dhe vënë në skenë nga regjisorja Andia Xhunga. Shfaqja vjen me skenografi të Genc Shkodranit, nën interpretimin e aktoreve: Adelina Muça, Ervin Doko, Arjola Basho dhe Enkel Gurakuqi. “Dashuri me çdo kusht” do të sjellë për publikun të vërtetat e bukura e të hidhura të marrëdhënies në çift.

“Kemi menduar që këtë shfaqje ta trajtojmë si një punë laboratorike, ku secili prej nesh sjell mendimet, idetë dhe eksperiencat e veta mbi gjithçka që trajton kjo vepër kaq aktuale”, ka thënë regjisorja Andia Xhunga. Pas një shkëputjeje prej një viti për shkak të lindjes së djalit të saj të dytë Manuel, regjisorja dhe aktorja Andia Xhunga i rikthehet jetës artistike teatrore në teatrin e Durrësit, duke ngjitur në skenë një komedi romantike së bashku me kolegët e saj aktoren dhe regjisoren Adelina Muça dhe aktorin Ervin Doko. “Dashuri me çdo kusht” është një komedi romantike e cila do të sjellë për publikun një realitet i cili është tepër i prekshëm, në ditët tona.

Marrëdhënia në çift, robotizimi i njeriut i cili për shkak të mbijetesës ekonomike, egoizmit, etjes për karrierë, nevojës për t’u larguar prej të vërtetave, harron thelbin e qenies njerëzore, ndjenjën dhe dashurinë. Çdo ditë në jetët tona në biseda të përditshme hasim histori çiftesh në krizë, të divorcuar apo në dilema divorci, tradhti që vijnë si pasojë e rrethanave e ndjesive të ndryshme, dhe përpjekjet për të mbajtur gjallë familjen, dashurinë, dhe marrëdhënien në çift. Idetë e regjisores Xhunga do e sjellin këtë realitet duke e bërë publikun të ndjejë sikur ka hyrë në shtëpinë e këtij çifti dhe ndjek hap pas hapi të vërtetat e pa thëna dhe ato të cilat ne i fshehim çdo ditë brenda mureve të shtëpisë. Në këtë shfaqje asgjë nuk do të jetë jashtë realitetit, edhe muzika e shfaqjes nuk do të vijë nga bokset e skenës së teatrit, por live nga një kitarë apo një celular ashtu si në jetën e përditshme.

SUBJEKTI
Një trekëndësh dashurie… Një avokate e suksesshme, kur merr vesh se burri i saj do ta lërë për një vajzë më të re, vendos ta mbajë peng, derisa ai të ndërrojë mendje…Gjatë pengmarrjes, personazhet zbulojnë të vërteta të pathëna më parë, por se si do të ërfundojë

dhe se cilat do të jenë situatat e krijuara gjatë kësaj dite jo të zakonshme për këtë çift do t’ia lëmë publikut ta zbulojë. Është një pjesë mbi marrëdhënien në çift… mbi dashurinë, urrejtjen… mbi bukurinë, vështirësitë, sakrificat që martesa kërkon…Mbi kohërat moderne…Një dialog realist në çdo imtësi…Pjesa do të ngjitet në skenë në fund të muajit nëntor.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb