Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla zhvilloi sot një takim me presidentin Bajram Begajn në Presidencë.

Gazetari Ergys Gjençaj raportoi në një lidhje live për News24 se Balla shkoi në Presidencë me ftesë të kreut të shtetit, Begaj, takim që synon marrjen e mendimit nga socialisti për vendosjen e datës së zgjedhjeve të ardhme për pushtetin vendor. Deri më tani presidenti Begaj ka zhvilluar disa takime. Dje në orën 18:00 kreu i Shtetit u takua me kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Alibeajn.

Ndërkohë dy ditë më parë Begaj ka takuar kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe deputetë të Aleancës për Ndryshim, Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Armando Duka dhe nënkryetarin e PD, Oerd Bylykbashi. Këto takime po zhvillohen në funksion të marrjes së mendimeve nga ana e Begajt gjatë konsultimeve me përfaqësues të partive politike për dekretimin e datës së zgjedhjeve.

Deri më tani afati ligjor për presidentin për të shpallur dekretin është 27 tetori, por mendohet se ai do e shpallë shumë shpejt. Me shumë gjasa mendohet se Begaj mund ta dekretojë nesër datën e zgjedhjeve. Ashtu siç e përcakton edhe kodit zgjedhor data e zgjedhjeve mund të mbahet në periudhën nga 15 prilli deri më 15 maj, por me shumë gjasa Begaj mund të zgjedhë 14 majin.

Kujtojmë se sot në orën 11:00 Begaj ka thirrur në një takim konsultativ kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi, që do të shoqërohet nga deputetja Mesila Doda.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb