Kryeministri Edi Rama ka thënë se deri më tani nuk kanë bërë asnjë hetim të brendshëm në lidhje me skandalin e publikimit të pagave.

Ai ka aluduar se publikimi i tyre në këto moment është bërë për qëllime dashakeqe, duke qenë se sipas tij, databaze është i vjetër ndërsa të dhënat janë të përditësuara.

Rama nënvizoi po ashtu se AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit), preket nga miliona sulme kibernetike, të iniciuara nga individë, por edhe grupe të caktuara që kanë qëllime dashakeqe ndaj Shqipërisë.

“Ne s’kemi bërë asnjë hetim të brendshëm. Databazë e hedhur rrugëve prej kohësh dhe e përdorur copa-copa etj. Siç e kam thënë edhe më parë, nuk kemi pasur e as kemi asnjë nevojë në të gjithë manualin e punës së makinerisë elektorale për numrin e kartave, është non sens. E dyta, në rastin konkret, bëhet fjalë për një rast ndryshe. Databaza është e vjetër si databazë.

Ndërhyrjet dhe ndryshimet e bëra janë të përditësuara. Sa i përket këtij rasti, ndryshe nga rasti tjetër që është hetuar thellësisht nga organet, në këtë rast hetimi do të përfshijë një numër të konsiderueshëm njerëzish. Duke qenë se e kam nxitur vetë këtë reformë që po jep rezultate fantastike, gjetën në fillim 14 shërbime të gjitha kioska, në kuptimin që nuk ishin kanale komunikimi. Programe që nuk kishin ndërveprim. Kur flitet për 1 mln sulme janë sulme që lënë gjurmë. Ndërkohë që sulmet që janë aktive dhe ku bëhet mbrojtja aktive ka ditë të muajit që AKSHI është 48 orë në punë për të zmbrapsur sulme që vijnë nga të gjitha anët, nga hakera që e bëjnë për hobi dhe forca që janë dashakeqe për Shqipërinë”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb