Akademia e Shkencave organizoi me rastin e datëlindjes së Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të njohur, më të përkthyerit e fituesi i dhjetëra çmimeve ndërkombëtare, një konferencë shkencore nën titullin “Ismail Kadare, një disidencë letrare”, nisur nga libri i fundit i studiuesit francez Jean Paul Champseix për të.

“Për të dhënë një element subversiv që kam gjetur te vepra e Kadaresë, do të përmend disa vepra. Te ‘Kamarja e Turpit’, nëpërmjet Ali Pashait që ndërpret marrëdhëniet me Perandorinë Osmane, mund të shohim një dublant të Enverit, që bëri ndarjen nga sovjetikët. Kritikat që i bëhen Ali Pashait, shkojnë me Hoxhën, pikë për pikë. Pabesia, politika arbitrare e terrorit, shoqëruar me deportime, e ekzekutime dhe vullneti për pavarësi që i shërben më tepër pushtetit të tij vetjak”, shprehet studiuesi Jean Paul Chaimpseix.

Autori i “Gjeneralit”, “Dimrit të madh”, “Pallatit të ëndrrave” e dhjetëra veprave që denoncojnë autoritarizmin e shtypjen e individit në diktaturë, ka kaluar nëpër një sërë ulje ngritjesh përgjatë regjimit. Shkrimtari Bashkim Shehu që e ka përkthyer Chaipmseix në shqip, kujtoi një prej tyre.

“Në tetorin e 1975 në Tiranë, në kohën e një fushate internimesh masive, zhvillohej një simpozium letrar ku isha i pranishëm. Mbaj mend që Kadareja në atë simpozium, ishte i mënjanuar, nuk i fliste njeri. Nuk i afrohej njeri, si të kishte kolerën. Ishte koha kur sapo kishte ndodhur ngjarja me ‘Pashallarët e kuq’ dhe Kadareja ishte nën kritikat e ashpra që i bëheshin dhe nuk dihej se çfarë do të ndodhte me të”, tha Shehu.

Konferenca u shoqërua edhe nga një ekspozitë e gjithë titujve të shkrimtarit ndër vite. Ndërkaq, Drejtoria e Përgjithshme e arkivave, publikoi në faqen e vet zyrtare, kopjen e dorëshkrimit të romanit të tij të parë, “Qyteti pa reklama” të 1959, që mbeti në dorëshkrim dhe u botua pas viteve 1990. Dorëshkrimi ju dhurua arkivit nga autori në maj të vitit të shkuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb