David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, u shpreh të martën se grindjet me amerikanët nuk e ndihmuan kryeministrin Albin Kurti.
Referuar rezultateve të thotë zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Kanin thotë se kjo situatë e ka dëmtuar deri në një masë partinë e tij – Lëvizjen Vetëvendosje.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Kanin thotë se nëse Kurti zgjidhet sërish kryeministër, nuk është e qartë nëse marrëdhëniet me SHBA-në do të bëhen më mirë.
“Por, është shumë e qartë se njerëzit përreth presidentit [amerikan, Donald] Trump, janë të pakënaqur me të, njësoj sikurse kanë qenë njerëzit përreth [ish-presidentit Joe] Biden”, thotë Kanin.
Kanin u ndal dhe tek mundësitë e formimit të qeverisë.
Sipas tij, kushdo që ta formojë Qeverinë e re të Kosovës, do ta ketë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në mesin e sfidave të menjëhershme.
“Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i kanë votat për të formuar koalicion pa Kurtin. Atyre u duhet më shumë mbështetje. Atë do të mund ta siguronin nëse do të shkonin në koalicion me Listën Serbe, por a do të shkonin? A do të ishin këto dy parti të gatshme të punonin me serbët për të formuar një qeveri? Kjo është pyetja. E, nëse nuk janë të gatshme, ato do ta kenë të vështirë t’i mbledhin 61 mandate në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh ai.
“Sipas prognozave tash për tash, Kurti mund t’i sigurojë 54 mandate, e për të formuar shumicën i duhen edhe 7. Këtë mund ta sigurojë me pakicat joserbe. Nuk po them se kjo do të ndodhë, por nëse Kurti është i gatshëm të bëjë koalicion – sepse ka thënë që jo – ai e ka shansin”, vijoi Kanin.
“Unë mendoj se amerikanët do të shtyjnë për një qeveri që do të jetë e bashkuar – nëse nga asgjë tjetër – nga vullneti për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo është ajo që ne amerikanët do të duam. Por, mendoj se është shumë herët të dihet se kush do të jetë kryeministër, sepse nuk e di se çfarë bisedash janë duke u zhvilluar mes partive të ndryshme, nëse janë duke u zhvilluar”, tha ai.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, Kanin tha se varet nga ajo se çfarë ndodh në Serbi.
“Për herë të parë, udhëheqja e Vuçiqit është në pikëpyetje. Është e mundur që regjimi i tij të jetë në telashe. Mendoj se ajo që ndodh në Serbi, është shumë e rëndësishme për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Kur të bëhet e qartë, ndoshta edhe ne do të dimë më shumë.
Nëse Kurti bëhet sërish kryeministër, ai mund të gjejë mënyra për ta vonuar çdo lëvizje drejt Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke vënë në dukje jostabilitetin në Serbi. Nëse vijnë njerëz të tjerë, ata mund të dëshirojnë të kenë marrëdhënie të përmirësuara me Serbinë. Por, sërish, derisa ta dimë se cila është e ardhmja e Qeverisë serbe, nuk do të jetë e qartë se si do të shkojnë gjërat”, u shpreh ai.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë se, pavarësisht presionit, aftësia e saj për të ndikuar në elektoratin e Kosovës në këto zgjedhje, ka qenë e kufizuar, sepse partia e Kurtit mbetet më popullorja në vend. Ai ka shumë më shumë vota sesa rivalët e tij për kryeministër”, tha Kanin. rel