Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, do të jetë sonte tifozi special në ndeshjen miqësore që kuqezinjtë do të luajnë kundër Kosovës në stadiumin “Letzigrund” të Zyrihut.

Për italianin kjo sfidë do të jetë ndryshe nga ajo që përfaqësueset luajtën dy vite më parë, pasi Shqipëria siguroi për herë të parë pjesëmarrjen në Europian.

“Ishte një ndeshje në miqësi të plotë para dy-3 vitesh, mes vëllezërve, por një ndeshje e çuditshme për mua. Preferoj të luaj ndaj kundërshtarëve të vërtetë. Ndryshimet që ka sjellë Panucci janë të goditura dhe synojnë rritjen e ekipit. Sigurisht ka lënë lojtarë në shtëpi, por duhet të provojë të rinj. Kur të vijë koha e pikëve do të llogarisë vlerësimet e këtyre miqësoreve”, tha Gianni.

Italo-shqiptari tani e pranon se mes dy përfaqësuesve do të ketë përplasje për talentet e reja.

“Është e qartë që tani, me njohjen e Kosovës do të jetë normale që do të ketë pak konflikt. Por ka hapësirë për të manovruar, sepse ka lojtarë të brezit të dytë që kanë lindur jashtë dhe janë interesantë. Të gjithë sot duan të fitojnë. Mbaj mend herën e fundit ishte një festë e bukur. Sot është ndryshe, pasi është fundsezoni dhe lojtarët janë të lodhur, e vlerësimet janë të vështira”, tha më tej De Biasi.

E ardhmja e De Biasit, për momentin është e fokusuar vetëm në rolin e opinionistit sportiv.

“Tani për tani jam parkuar te Rai për të ndjekur me interes ndeshjet e Botërorit. Kam folur me një Federatë të rëndësishme, të një vendi që merr pjesë në Botëror, e shpresoj ta konkretizojmë pas Botërorit, ndërsa kam dhe dy oferta nga ekipe jashtë Italisë”, tha ai.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb