Xhani De Biazi vazhdon të “qajë” rastin e munguar për të marrë drejtimin e kombëtares italiane të futbollit dhe insiston se ai ishte thuajse i ulur në pankinën e të kaltërve. Trajneri i kuqezinjve e ka konfirmuar një gjë të tillë edhe për “Rai Sport”, para ndeshjes mes Italisë dhe Gjermanisë që u zhvillua të martën në Milano.

“Mendoj se kam qenë shumë pranë kombëtares, kam takuar Tavekion së fundmi dhe më shpjegoi se arsyet nuk kishin të bënin me Federatën”, theksoi tekniku i kombëtares shqiptare që tashmë do të jetë “armiku’ i Italisë në ndeshjen e muajit mars.

Në të kaluarën, mediat italiane ka folur shpesh për ndërhyrje të jashtme nga figura të politikës në Federatën Italiane për zgjedhjen e trajnerit të Italisë. Mes emrave të përfolur ishte edhe ai i Mateo Rencit, kryeministrit italian, i cili kishte pasur preferencat e tij. De Biazi nuk tregoi se nga kishte ardhur ndikimi, por fjalët e tij lënë të kuptohet se emërimi i Venturës ishte bërë nga jashtë Federatës. Gjithsesi, ai i uron fat teknikut që ka marrë drejtimin e të kaltërve, me bindjen se FIGC ka bërë një zgjedhje të goditur. “Tani aty është Ventura, i cili është njeriu i duhur për këtë kombëtare dhe po paraqitet mirë”, ishin fjalët e De Biazit./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: