Xhani De Biazi është gjithnjë e më tepër në vëmendjen r mediave italiane sa më shumë afrohet përballja e 24 marsit mes Kombëtares shqiptare dhe asaj “Axurre” në Palermo. Trajneri kuqezi ka folur sërish për mediat përtej Adriatikut gjatë një ceremonie në Potenca, ku u nderua me çmimin “Alfredo Mançineli”. “Italianët, kur punojnë në një vend tjetër, arrijnë të japin më të mirën. Ne e kemi atë elementin shtesë, ndoshta kujdesin ndaj hollësive apo mjedisin ku jetojmë ditë pas dite me gazetarët dhe botën futbollistike”, u shpreh 60-vjeçari.

“Unë kam bërë një punë të mirë në Shqipëri, – shtoi ai, – ndoshta sepse kam pasur të bashkuara një sërë elementesh të veçanta dhe sepse kemi dhënë zemrën si dhe profesionalizmin si trajner italian. Ndoshta është koha për të reflektuar, për të pasur më shumë durim në vlerësimin e trajnerëve italianë, të cilët në nivel ndërkombëtar nuk kanë të krahasuar me askënd”.

Edhe pse nuk e realizoi dot ëndrrën për të drejtuar Italinë, De Biazi ka fjalë të mira për trajnerin e “Axurrëve”, Xhampiero Ventura: “Gjatë kësaj vere isha shumë pranë stolit të Kombëtares, dhe për një italian, drejtimi i skuadrës përfaqësuese besoj se është diçka e jashtëzakonshme. Sot Italia është në duar të sigurta dhe jam i sigurt që Ventura do të bëjë mirë. I ka dhënë shenjat e para dhe është në udhë të mbarë”.

Për teknikun italian, përballja me Kombëtaren e vendit të tij do të jetë shumë e veçantë. “Është e tillë për një italian që vihet kundër kombit të vet, aq më tepër kur në valle është kualifikimi në Botëror. Do përpiqemi të japim më të mirën. Natyrisht, do të jetë thjesht një ndeshje futbolli, por me disa specifika të veçanta”, theksoi trajneri i Shqipërisë./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb