Etrit Berisha dhe kombëtarja Shqiptare dje mësuan vendimin që FIFA dha për gardianin e portës për atë përplasje me kokë me kapitenin e Izraelit Zahavi. Berisha do të mungojë jo vetëm në ndeshjen e radhës të kombëtares ndaj Italisë në mars, por edhe në atë kundër Izraelit që luhet në muajin qershor. Gjithsesi këtë trajneri De Biazi e ka marrë me humor ndonëse pranon se është një mungesë e rëndesishme.

“Është një mungesë e madhe, po më mirë që nuk vjen në Izrael, pasi do të masakronte Zahavin”, ishte batuta e tij në një intervistë për “TV Klan”. “Berisha nuk duhet të binte në provokimin e tij, por mund të them që edhe Zahavi duhet të dënohej me 2 ndeshje për atë simulim”, theksoi trajneri i kombëtares.

Edhe pse Shqipëria mori një goditje të fortë me atë humbje 0-3 kundër Izraelit, De Biazi vazhdon të ketë shpresa për arritjen e një objektivi të rëndësishëm në kualifikueset e Botërorit. “Ishte një vit për t’u kujtuar për futbollin shqiptar, pasi arritëm diçka të pabesueshme. Tani po përpiqemi që të qëndrojmë në garë për kualifikueset e Botërorit. Italia? Është e imja kur nuk jam në Shqipëri, por deri sa të jem këtu, do të jem 100% shqiptar. Për ndeshjen duhen edhe 3 muaj kështu që do të flasim më vonë”, deklaroi De Biazi.

Mediat shpesh kanë raportuar për oferta në drejtim të teknikut, por edhe këtë herë De Biazi nuk ka preferuar të komentojë zërat e merkatos pranë pankinës së ndonjë skuadre tjetër përveç kombëtares shqiptare.

“Unë shikoj që shkruhen të pavërteta edhe kur nuk dinë asgjë, por le të flasin. Unë prej 4 vitesh thonë që do të largohem, por ja ku jam për zgjedhje që e kam bërë vetë”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb