Nga: JETON SELIMI *
Xhani De Biazi vijon turin e tij në Shqipëri, ndërsa po sheh nga afër të gjitha klubet kryesore në përgatitjet e tyre në prag të rifillimit të kampionatit. Të martën trajneri italian i kuqezinjve ndoqi Tiranën në stërvitje, ndërsa dje radhën e pati Partizani. Në fund të seancës stërvitore, De Biazi u prononcua për mediat, duke thënë se në prag të ndeshjes së rëndësishme me Armeninë në mars, ai do të kërkojë që të ketë në dispozicion lojtarët më në formë, përfshirë edhe ata që luajnë në kampionatin shqiptar, teksa theksoi se Alban Hoxha, gardiani i Partizanit që mungoi në miqësoret me Francën dhe Italinë për shkak të dramës që përjetoi në familje, është pjesë e tre portierëve të tij, ku bëjnë pjesë edhe Etrit Berisha si titullar dhe Orges Shehi si portier i dytë.
Keni ndjekur stërvitjen e Tiranës një ditë më parë, ndërsa sot (dje) të Partizanit, kurse Tramexani është te Kukësi. Cili është qëllimi juaj?
Kisha dëshirë të shikoja punën që bëjnë kolegët në kampionatin shqiptar, me të cilët diskutova edhe rreth gjendjes fizike të disa lojtarëve. Ne i ndjekim të gjithë. Edhe kur unë nuk jam i pranishëm, këtë e bëjmë nëpërmjet televizorit dhe internetit. Mungojnë edhe dy muaj nga ndeshja shumë e rëndësishme me Armeninë. Duhet të kërkojmë të marrim në kombëtare lojtarët që janë më mirë fizikisht dhe në këtë optikë po vëzhgojmë edhe disa prej tyre që luajnë në kampionatin shqiptar.
Cilët nga lojtarët që janë pjesë e kombëtares ju kanë bindur në këto stërvitje që keni ndjekur?
Kjo nuk është një pyetje shumë e mirë, por mund të them se ne i ndjekim të gjithë futbollistët dhe nëse jo direkt, nëpërmjet televizionit dhe programeve në internet që kemi. Kanë mbetur edhe rreth dy muaj nga ndeshja e radhës dhe do të përpiqemi që të marrim në kombëtare lojtarët që kanë një formë të mirë fizike. Jemi duke i parë të gjithë me shumë vëmendje dhe gjatë kësaj jave jemi duke parë edhe lojtarët që në fundjavë do të luajnë në kampionat.
I keni kontaktuar lojtarët që kanë ndryshuar skuadër së fundmi?
Padyshim që po, kam folur dhe e rëndësishme është që ata të ambientohen shpejt dhe nëse arrijnë të luajnë dhe të marrin eksperiencë, atëherë kjo do të jetë në shërbim të kombëtares.
A është Lenjani tek ekipi i duhur?
Këtë do ta shohim me kohën. Shpresoj që ajo skuadër t’i japë më shumë eksperiencë dhe të stërvitet në mënyrën e duhur, në mënyrë kur të jetë i grumbulluar në kombëtare të ketë formë të mirë.
Sa mundësi kanë lojtarët e kampionatit shqiptar që të jenë pjesë e përfaqësueses?
Unë besoj se jam një nga trajnerët që kanë grumbulluar më shumë lojtarë nga kampionati vendas dhe të paktën pesë lojtarë kanë qenë pikërisht nga Superiorja. Por, gjithçka varet nga momentet, nga fati dhe nga shumë aspekte. Për mua rruga është e hapur dhe të gjithë mund të jenë pjesë e kombëtares.
Do të rikthehet Alban Hoxha në kombëtare?
Është pjesë e tre portierëve. Ai është titullar në klub dhe si portier më pëlqen shumë, por më pëlqen edhe si person serioz dhe i përgatitur.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: