Ishte i papritur vendimi i De Biazit për të lënë Shqipërinë në mes të kualifikuesve të Botërorit “Rusi 2018” një ditë pasi ishte shprehur se përfundimi i aventurës me kombëtaren kuqezi do ishte në përfundim të kontratës.

Në një intervistë për mediat italiane, konkretisht duke folur për mikrofonin e “Tutti Convocati” të Radio 24″, ai ka sqaruar dhe vendimin e tij.

Për De Biazin ndodhi e papritura pas Europianit dhe në ndeshjen kundër Luksemburgut u prek fundi.

“Nuk shkuam në Shqipëri për të humbur kohë, donim t’i habisnim dhe në fakt e arritëm. Jam i gëzuar që jam vlerësuar. Të them se isha i emocionuar është pak, kanë qenë 5 vite e gjysmë të jetës sime. Me Shqipërinë bëmë diçka të pamendueshme, ishte një rrugëtim i gjatë.

Pas Europianit mendoja se do të gjeja një jetë të re, por për fat të keq nuk ndodhi ashtu. Më la një shije të hidhur, ‘këta njerëz janë pak të kënaqur’ dhe ky ishte një zhgënjim i madh.

Në mënyrë të pandërgjegjshme ne humbëm një pjesë të tërbimit, dikush e ndjeu barkun plot. Humbja në Luksemburg më ka zhgënjyer shumë, atë natë e mora vendimin”, u shpreh ish-trajneri i kombëtares sonë.

Ndërsa përsa i përket të ardhmes De Biazi u shpreh se nuk preferon ndonjë ekip në “Seria A” për shkak të modelit që përfaqëson institucioni i trajnerit. “Nuk po kërkoj ndonjë pankinë në “Seria A”. Dua të qëndroj jashtë, pasi dua të jem në qendër të projektit. Dua të kem një dorë të lirë në përzgjedhjen e lojtarëve, nga pikëpamja njerëzore dhe teknike”, përfundoi trajneri italian.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: