Duhen edhe 2 ditë nga ndeshja e cilësuar si finale ndërmjet Lazio-s dhe Interit e cila do të vendosë se kush nga dy skuadrat do të shkojë në “Champions” për sezonin e ardhshëm.

Që në momentin kur kjo sfidë e fundit e kampionatit u bë përcaktuese në pozita shumë të vështira është vënë Stefan De Vrij, futbollisti i Lazio-s që në nga sezoni i ardhsëm do të luajë për Interin.

Të hënën, pas komenteve të tifozëve që vendosinin në pikëpyetje ndershmërinë e lojtarit, vetë futbollisti u shpreh se nuk dëshironte të luante në këtë ndeshje.

Gjithsesi sot holandezi ka ndryshuar mendje. Ai i ka shkruar një letër shokëve të skuadrës, për të treguar vullentin e tij: “E dini mirë atë që kam kaluar gjatë këtyre ditëve, të gjitha dyshimet ndaj meje. Është folur pafund, por unë dua të jem pranë jush, dua të luaj pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe që do të kurorëzonte më së miri një sezon të shkëlqyer”, shkruan në mesazhin e tij De Vrij.

Sipas asaj që zbulon Premium Sport, holandezi ka patur një takim kokë më kokë me senatorët e skuadrës, Immobile, Parolo, Leiva, Radu, Lulic. Pas tyre De Vrij ka zhvilluar edhe një takim privatisht me Drejtorin Igli Tare, ndërsa në fund ka nisur një sms në chat privat gjithë pjesës tjetër të skuadrës.

Fjalën e fundit e ka trajneri Inzaghi që në 24 orët e ardhshme duhet të vendosë përfundimisht, nëse De Vrij do të zbresë në fushë të dielën në Olimpico.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb