Damian Gjiknuri i PS refuzon propozimin e PD për hapjen e listave 100%. Burime për BalkanWeb bëjnë me dije se përfaqësuesi i mazhorancës kërkon disa herë mbyllje të mbledhjes duke i qëndruar ndryshimeve të njëanshme të Kushtetutës.

Opozita e Bashkuar ndërkohë kërkon një konsensus për propozimin me 6 pika që ka hedhur sot në tryezë. Për më tepër ajo bën të qartë nëpërmjet përfaqësuesve të saj, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili se është propozimi i saj që jep zgjidhje konkrete për hapjen e listave 100% që shqyrtohet nga Këshilli.

Por ndërkohë Opozita paralajmëron edhe se me ecjen në mënyrë të njëanshme për ndryshimet kushtetuese, por hidhet në erë konsensusi i arritur më parë dhe dy marrëveshjet e 14 janarit dhe 5 qershorit që janë të domosdoshme për hapjen e negociatave.

Prej më shumë se 3 orësh mbledhja brenda Këshillit Politik vijon teksa nesër në parlament ndryshimet kushtetuese votohen nga deputetët brenda Kuvendit. Marrëveshja e 21 korrikut mes PS dhe opozitës parlamentare përfshin nenet 68 dhe 64 të Kushtetutës, por Opozita e Bashkuar kërkon të ndërhyhet vetëm në nenin 68 dhe jo në atë 64 që ndalon koalicionet parazgjedhore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb