Kryetari i komisionit hetimor për të dhënat e TIMS Ervin Salianji ka kërkuar ditën e sotme të ministri i Brendshëm Taulant Balla të vijë si dëshmitar për këtë çështje.

Megjithatë deputeti socialist Toni Gogu ka kërkuar që të hidhet në votim kërkesa që dëshmia të jetë me dyer të mbyllura, ndërsa i ka bërë thirrje Salianjit që ta hedhë në votim kërkesën “siç e detyron ligji”.

Salianji ka replikuar duke i thënë Gogut që të ketë kujdes kur drejtohet në komision, pasi “nuk është në rrugë”, ndërsa Gogu ka ngulmuar në kërkesën e tij duke thënë se ka lidhje vetëm me ligjin.

Salianji: Unë e ftoj ministrin e brendshëm të vijë si dëshmitari i parë sepse nuk ka asgjë që përbën sekret shtetëror.

Gogu: I nderuar zoti kryetar, para se të filloj me kërkesat procedurale kam një kërkesë miqësore. Keni nevojë urgjente për këshillim juridik, e keni urgjente për rolin tuaj si kryetar komisioni, sepse e keni zbythur komisionin në paligjshmëri që në fillimin e tij.

Ekspertet ligjorë bëjnë këtë gjë, ndihmojnë këtë komision të hetohet. Pyet dhe ata që ke propozuar, pyet dhe këshilltarin juridik të grupit tuaj. Ky komision nuk është vend spektakli, e premtuat ju spektaklin.

Salianji: Do ta shihni!

Gogu: Mos më ndërprit!

Salianji: Unë i mbaj premtimet!

Gogu: Spektakli i këtij komisioni janë vendimet e tij, nuk janë sa herë del ti në TV. Sa herë del ti është spektakli yt, ligji të flet qartë që ky komision disponon me vendimet. Çfarë ka ndodhur, institucionet shtetërore të kanë ardhur me kërkesa. E para gënjen dhe merr nëj gjysmë të vërtete dhe përpiqesh të hapësh panik te kolegët dhe thua PS ka bërë njoftim që s’do zhvillohet mbledhja, ndërkohë që duhet të lexosh kërkesën e ministrit të brendshëm. Atë e ke votuar edhe ti në parlament. Urgjentisht duhet t’i kthehemi ligjshmërisë, hidhe në votim kërkesën siç të detyron ligji.

Salianji: Nuk je në rrugë këtu, drejtohu me zoti kryetar ose zoti Salianji. Me këto drejtohu në rrugë. Ki kujdes kur drejtohesh në komision

Gogu: Kulturës tuaj politike, profesionale, nuk kam lidhje unë, kam lidhje vetëm me ligjin.

Salianji: Ti sufler je, e mbarove kërkesën procedurale?

Gogu: Me shumë durim. Kolegë, është në nderin e komisionit që kërkesat e autoriteteve shtetërore që kanë respektuar Kuvendin kërkojnë hetim me dyer të mbyllura, siç i takon një komisioni hetimor. Që të mbyllë gojën dhe ta hapë veshët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb