Seanca e sotme plenare, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë është shoqëruar me debate.

Deputeti, Gazment Bardhi u shpreh i revoltuar për propozimin për projektligjin për Eurobondin, pasi sipas tij nuk ishte në rend dite dhe deputetët nuk ishin njohur me këtë çështje.

Bardhi theksoi nuk mund të shtohen pika në rend dite, pasi ka nisur seanca plenare.

Ndërkohë nga ana e saj kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se projektvendimi është në sistem, por sërish pati kundërshtime nga deputeti Bardhi i cili i tha,- kësaj të fundit që të sillej si kryetare dhe jo si nxënëse e Taulant Ballës.

Në debat u përfshi edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, i cili u shpreh se projektvendimi është i shkruar në rregullore dhe ka një kusht që nuk hyn në Komision apo seancë 7 ditë nga dita e njoftimit.

Bardhi: Kërkesa për marrjen e fjalës për procedurë jepet menjëherë. Tani pasi ka nisur seanca plenare nuk mund të shtohen pika në rendin e ditës sepse kështu i teket Edi Ramës apo edhe ju.

Këtë njoftim ta kishit bërë më parë, sepse pasi ka nisur seanca ju nuk mund të shtoni një çështje me të cilën deputetët nuk janë njohur. Ua keni shpërndarë deputetëve projekt vendimin?

Si mund të ftoni deputetët të votojnë diçka që nuk e kanë përpara. Ku jemi këtu, nuk mund të na trajtoni ne sikur na keni në xhep dhe na nxirrni e na fusni sa herë të doni.

Nikolla: Projekt vendimi është hedhur në sistem.

Bardhi: Jo nuk është hedhur, duhet ta kishit futur në rend dite. Ti je kryetare e Kuvendit dhe sillu si kryetare e Kuvendit, jo si nxënëse e Taulant Ballës sepse dita ditës po e shkelni zotimin si kryetare.

Balla: Të ngeli në gojë emri im. Nuk ka lidhje fare me mua kjo punë.  Projektvendimi është i shkruar në rregullore dhe ka një kusht që nuk hyn në Komision apo seancë 7 ditë nga dita e njoftimit. Përmbajtja e aktit ka ardhur natyrshëm, pra keni 7 ditë të shkoni në Komision të thelloheni. Unë mendoj që Komisioni i Ekonomisë ta shqyrtojë dhe ne ti japim mundësinë qeverisë ta shqyrtojë sa më shpejt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb