Në studion e News24, Arsejda Gjyli, pedagoge në universitetin “Luarasi” dhe kandidate në platformën “Deputeti që duam” të PS, u përball me Jola Hysajn, sekretare për marrëdhëniet me publikun në PD, në një debat mbi përfaqësimin e të rinjve në politikë.

Hysaj kritikoi qasjen e të rinjve socialistë, duke i cilësuar si të shkëputur nga realiteti. “Të rinjtë e PS flasin me idealizëm të jashtëzakonshëm, pa prekur terrenin dhe pa njohur realitetin,” u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, Gjyli mbrojti angazhimin e saj dhe të PS në terren. “Jemi të mirëinformuar për të gjitha problematikat. Unë mbroj një kauzë dhe e njoh shumë mirë realitetin në Shqipëri,” theksoi ajo.

Debati u tensionua kur Hysaj ngriti çështjen e emigrimit të të rinjve për shkak të mungesës së mundësive. “Pse nuk qëndrojnë të rinjtë? Sepse janë ekselentë dhe nuk gjejnë dot një vend pune në Shqipëri!” deklaroi ajo.

Gjyli kundërshtoi duke thënë se është përzgjedhur me meritokraci, pa lidhje apo njohje. “Shumë mirë, rasti yt është unik,” u përgjigj Hysaj me ironi, duke nënkuptuar se shumica nuk kanë të njëjtat mundësi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb