DURRES -Këshilltari demokrat i Durrësit Shkëlqim Fortuzi njëkohësisht edhe lektor në universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ i është rikthyer çështjes së plehrave në Porto-Romano.

‘Pavarësisht se kemi tre muaj që votuam për shpalljen e emergjencës, plehrat po digjen në të njëjtin vend, dhe tymi po helmon 20 mijë studentë dhe banorët e Durrësit, ky tym po del deri tek Ura e Dajlanit’- pohoi Fortuzi.

Kreu i këshilltarëve të PS Alfred Mullaraj përsëriti atë çka tha kryeministri Edi Rama kur vizitoi fushën e mbetjeve urbane në Durrës.

‘Porto Romano do të kthehet në një park për fëmijët dhe plehrat e Durrësit do të kenë si destinacion inceneratorin e Sharrës’- tha ai.

Pak ditë më parë për News24, bashkia e Durrësit bëri me dije de i ka kaluar me shkresë zyrtare komitetit të integruar të mbetjeve , shpalljen e emergjencës mjedisore për shkak se bashkia nuk ka fonde.

Ky komitet ende nuk ka marrë vendim apo nuk ka dhënë ansjë alternativë zgjidhjeje deri tani. Komiteti i Integruar i mbetjeve varet nga kryeministria. Po kështu në këshillin bashkiak u debatua në lidhje me transparencën e fondeve të miratuara për rrugën Egnatia në qendër të Durrësit dhe zonën turistike të shkëmbit të Kavajës nga Këshilltarja e LSI-së Edlira Hyseni dhe i PD Armand Teliti.

Hyseni tha se për 500 metra rrugë po kërkohet të miratohet një milionë euro fond, ndërsa Teliti tha se po abuzohet me prerjen e pemëve dhe shtrimin e trotuareve me mermer me fondet publike. Si asnjë herë më parë të djathtë e të majtë kanë votuar pro të 17 projektvendimet e këshillit bashkiak të Durrësit në një mbledhje ku mungonte kreu i bashkisë se Durrësit Vangjush Dako.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb