TIRANE- Ashtu siç u përcaktua edhe dje, ditën e sotme ka filluar seanca plenare për të diskutuar programin e qeverisë “Rama2” për katër vitet e ardhshme.

Seanca ka nisur në orën 09:00, dhe fjalën e parë e ka marrë kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili tha se zgjedhjet e 25 qershorit ishin fundi i marrëveshjes PD-PS të arritur më 18 maj.

Nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka thotë se kryeministri Edi Rama nuk ka një program qeverisës. Nga foltorja e Kuvendit, deputeti demokrat thotë se ashtu si në fushatën elektorale të 2013-ës edhe në fushatën e 2017, Rama nuk prezantoi një platformë qeverisëse para shqiptarëve.

Duke iu referuar fjalës së djeshme të kryeministrit Edi Rama në Kuvend, deputeti Paloka tha se shqiptarët e dëgjuan të fliste “për allatet e kalit të Skënderbeut, por jo për programin e qeverisë”.

“Parashikojnë rritje imagjinare për 4 vitet. Foli për allatet e kalit të Skënderbeut, por për programin e qeverisë nuk dëgjoi gjë askush. Ne nuk prisnim të merrnim përgjigje prej tij, por program nuk ka. Në fakt e vërteta është kjo, Rama nuk ka patur program qeverisës pasi nuk ka nevojë për të, madje nuk ka nevojë as të qeverisë. Nuk ka nevojë për program që të marrë votat e shqiptarëve, nuk e bëri në 2013, por fitoi, edhe tani nuk e beri, dhe prapë fitoi madje edhe më thellë, siç na paralajmëroi sa herë denonconim skandalet e tij këtu në Kuvend. Dhe kjo një arsye e ka”, tha Paloka.

ORA 10:50 TABAKU: RRITJA EKONOMIKE MBAHET NGA TAP DHE DEVOLL, QEVERIA NUK KA INVESTIME SERIOZE
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku akuzoi se qeveria paraqiti një program me batuta. Sipas saj, qeveria është kujdesur për fasadën dhe jo për të ndryshuar politikën fiskale.

“Programi i kësaj qeverie është i fokusuar në sektorët që mbajnë në këmbë rilindjen. Kjo nuk është Shqipëria që duam. Nuk ka investime serioze dhe rritja ekonomike po mbahet tek dy projekte, nga TAP dhe Devoll. Qeveria refuzon të shikojë burimet e rritjes ekonomike”, deklaroi Topalli. Sipas saj, nuk funksionon diplomacia ekonomike dhe Shqipëria nuk arriti të përfitojë asnjë projekt nga Samiti i Triestes.

ORA 10:35 AHMETAJ: PARASHIKOJMË RRITJE TË EKONOMISË ME 6 %
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj paraqiti para deputetëve të Kuvendit, disa nga objektivat e qeverisë “Rama 2″për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ahmetaj tha se prioritet është menaxhimi i financave publike, ku kontributi kryesor mbetet rritja ekonomike, lufta kundër informalitetit, zhvillimi i sistemeve teknologjike, rritja e eficencës së administratës fiskale dhe forcimi i kapaciteteve të administratës publike e fiskale.

Duke u ndalur më tej tek politika fiskale, ministri Ahmetaj tha se progresiviteti do të vijojë të mbetet në qendër të filozofisë sonë si dhe lehtësitë procedurale. Ai po ashtu premtoi se do të reflektohet premtimi për uljen në 5 % të tatim fitimit për kompanitë që prodhojnë në fushën e teknologjisë.

Sipas Ahmetajt, rritja ekonomike parashikohet të shkojë në 5.5 -6 % në fund të mandatit të dytë. “Gjatë mandatit të dytë angazhohemi me prioritet në konsolidimin makroekonomik, rritjen e punësimit, zhvillimin e e infrastrukturës, bujqësisë e agroturizmit. Po ashtu rritja më tepër e punësimit , tërheqja e investimeve konvergojnë tek një qëllim, uljen e papunësisë në nivel një shifror. Punësimi e arsimi profesional do t’i përgjigjen nevojave reale të vendit”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Duke folur për investimet, ministri Ahmetaj theksoi se ato pritet të shkojë në 5.2 % gjatë vitit 2018, ndërsa ministri Ahmetaj tha se qeveria është e angazhuar për të vijuar me programin “1 miliard për rindërtim”.

“Investimet publike të financuara nga buxheti i shtetit janë 5 % dhe në 2018 parashikohet të arrijnë në 5.2 %, duke e ulur borxhin njëkohësisht. Përdorimi i instrumenteve financiare të partneritet publik privat ka treguar se ka sukses dhe do të vijohet me këtë program për projekte me rëndësi të veçantë në ekonomi. Nga programi “1 miliard” do të injektohen në ekonomi në bashkëpunim me sektorin privat në 3 vitet e ardhshme 3.4 miliard dollarë investim. Nga kjo paketë do të mund të prodhohet +2 rritje ekonomike më tepër se planifikimi. Të ardhurat në buxhet parashikohet t’i çojmë në 31 % të PPB”, tha Ahmetaj.
ORA 10:10 BUSHATI: MESAZHI I ZGJEDHJEVE TË 25 QERSHORIT ISHTE I QARTË
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati deklaroi sot gjatë seancës plenare se, “zgjedhjet kanë përfunduar në 25 qershor dhe secili prej nesh ka marrë besimin e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi”.

“Mesazhi i zgjedhjeve të 25 qershorit ishte i qartë. Shqiptarët mbështetën PS sepse presin ndryshime zhvillimin me ritme më të shpejta” , tha Bushati.

“Sulmi terrorist i 11 shtatorit që përjetuam dje në New York ishte këmbana që shpalli preludin e kësaj që po përjetojmë sot në Evropë, sot asnjë vend nuk mund të ndihet i sigurt nga terrorizmi”, tha Bushati.

Bushati ftoi opozitën që të zhvillojë një debat në lartësinë e duhur sa i përket politikës së jashtme, “për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, mbrojtjen e interesave ekonomikë të shqiptarëve, që nuk i dëgjova në fjalën e kreut të PD”.

Bushati i kujtoi opozitës telefonatat e partnerëve ndërkombëtarë për deputetët e opozitës për të votuar reformën në drejtësi.

ORA 10:00 BUSHATI: BASHA TE LERE HARTIMET, TE VAZHDOJME RRUGEN PER INTEGRIMIN E VENDIT
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i është përgjigjur sot kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe ish Presidentit, Bujar Nishani lidhur me shkrirjen e Ministrisë së Integrimit dhe kalimin e saj te Diplomacia. Duke folur në Kuvendi, Bushati tha se “shpresoj që shock t’i ketë kaluar Nishanit. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme nuk është një model shqiptar, e kanë vendet baltike, Mali i Zi para pak kohësh. Për këdo që ka punuar me Johannes Hahn, Bregun nuk e shoh këtu, 2 fjalët e tij kyçe, cilësi dhe shpejtësi. Basha nuk i ka njohur këto. Ne kemi racionalizuar burimet njerëzore, do respektojmë çdo investim të taksapaguesve shqiptarë dhe europianë sa i përket burimeve njerëzore”.

“Unë do jem këtu për të vazhduar bashkëpunimin me Komisionin e Jashtëm, të Integrimit dhe Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian. Do jem në dispozicion të strukturave parlamentare për të informuar dhe për të ndihmuar njeri-tjetrin në arritjen këtij objektivi kombëtar. Lëri hartimet këtu për NATO e vizat, sepse ky është një proces me stafeta. Le të vazhdojmë ta ndërtojmë murin e shtëpisë sonë. Sa më shpejt ta kuptojmë që kohët po ndryshojnë, që shiriti i magnetofonit nuk funksionon më, aq më mirë do jetë, për PD-më, për ne dhe për gjithë shqiptarët”.

ORA 09:30 BASHA I VË KUSHTE RAMËS: SHKARKO RUÇIN. DY MINISTRA JANË GARUZHDET E TUA, TË TJERËT PECETA PËR TË FSHIRË FAQET
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij të parë nga foltorja e Kuvendit për këtë legjislaturë parlamentare, i ka kërkuar kryeministrit Rama që të marrë disa vendime të rëndësishme, sipas tij për të mirën e vendit.

Si vendim të parë, Basha ka kërkuar shkarkimin e Gramoz Ruçit nga posti i kryetarit të Kuvendit, dhe Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm.

Sakaq, ai është shprehur se dy ministra të kabinetit qeveritar janë “dy garuzhdet e korrupsionit, ndërsa disa të tjerë “janë si peceta për të fshirë faqet”.

“Duhet ta shkarkosh Gramoz Ruçin. Po kështu edhe Fatmir Xhafën për lidhjet e ti me krimin. Duhet të shkarkosh shefat e policisë që kanë favorizuar krimin, me në krye Tahirin. Duhet të largosh kryetarët e bashkive të lidhur me krimin. I bën dot ti këto? Ndryshe çfarë ka ndryshuar nga zgjedhjet e 25 qershorit, asgjë. Avazi i vjetër, vazhdon me tepsi të re. Me dy garuzhdet e tua, Ahmetajn dhe Gjiknurin, dhe ministrat e tjerë që janë si peceta për të fshirë faqet”, tha Basha.

ORA 09:20 BASHA: MARREVESHJA IME ME RAMEN MBAROI ME ZGJEDHJET E 25 QERSHORIT
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga foltorja e Kuvendit u shpreh se marrëveshja e tij me Ramën e arritur më 18 maj, përfundoi me zgjedhjet e 25 qershorit. Teksa u shpreh se “thelbi i marrëveshjes së 18 majit ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, Basha tha se “Ndaj dhe zgjedhjet e 25 qershorit shënuan edhe vdekjen e kësaj marrëveshjeje”.

Ai tha se marrëveshjen e vranë shitblerja e votës dhe aleanca e Ramës me krimin.

“Aleanca e pandërprerë e Ramës me krimin dhe shitblerja e votave me paratë e drogës dhe të korrupsionit e vranë marrëveshjen. Zgjedhjet rikonfirmuan problemin numër 1 të Shqipërisë: vjedhjen dhe tjetërsimin e vullnetit të Shqiptarëve për hir të pushtetit personal dhe privat të Edi Ramës”, tha Basha.

ORA 09:10 BASHA MBAN FJALËN E PARË NË KUVEND PAS 6 VITESH MUNGESË, RUÇI: KAM NJË KËSHILLË
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është drejtuar mëngjesin e sotme foltores së Kuvendit, duke mbajtur kështu fjalën e parë për këtë legjislaturë, pas 6 vitesh mungesë. Një ditë më parë kryeministri Rama prezantoi programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme, dhe sot, deputetët e Kuvendit do të vijojnë me diskutimet e tyre.

Me fillimin e seancës së sotme, kreu i PD i është drejtuar i pari foltores, por pak çaste para se të fillonte fjalën e tij, kryetari i Kuvendit ka ndërhyrë për t’i dhënë një këshillë.

Sakaq, Gramoz Ruçi, ndryshe nga sa parashikon rregullorja e Kuvendit për kohën që i takon deputetit në rastet e diskutimit të programit qeveritar (që është 20 minuta), i ka dhënë atij kohën 42 minuta e 02 sekonda, po aq sa ka zgjatur në seancën e djeshme fjala e kryeministrit Rama.

“Si rregull s’ka asnjë përjashtim lidhur me kohën, si çdo deputet është 20 minuta. Por duke pasur parasysh që ka një nen të rregullores për të barazuar kohën e kryeministrit me të kryetarit të opozitës, sigurisht nuk është ky rasti, por duke patur parasysh kërkesën e grupit parlamentar, do të bëjmë një përjashtim në seancën e sotme, do t’i vendoset Bashës koha e plotë sa foli dje kryeministri Rama për prezantimin e programit 42:02”, u shpreh kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

(el.sp/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb