TIRANË

Debate në “Open” në News24 për situatën në vend, korrupsionin, varfërinë dhe problematikat e tjera me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare, duke nisur nga rezultatet e barometrit të varfërisë dhe korrupsionit.

Avokati Adriatik Lapaj tha se nuk është drejtësia pjesë më e korruptuar e shtetit, por administrata. Ai theksoi se korrupsioni është kancer shoqëror dhe duhet të luftohet që në shkollë, duke folur për edukim të shoqërisë. Nga ana tjetër gazetari Arion Sulo tha se duhet të jetë drejtësia ajo që të luftojë korrupsionin dhe ta ndalojë.

Për Lapaj duhet të ndryshojë mentaliteti i shqiptarit, por për Sulon nuk mund të krijohet ‘njeriu i ri’.

Lapaj: Nuk është pjesa më e korruptuar e shtetit drejtësia. Është pjesa ku korrupsioni është më i dhimbshëm sepse është pjesa që konsiderohet gardiani që duhet t’i ndalojë këto fenomene. Më e korruptuar është administrata në këtë vend, të jesh i bindur për këtë.

Sulo: Administrata e kanë në profilin e saj të korruptuarit, drejtësia është ajo që duhet ta ndalonte.

Lapaj: Unë jam pro reformës në drejtësi, por që ka pafund gabime dhe mund të bëhet më mirë nuk ka asnjë diskutim. Ka plot të rinj që janë futur në sistemin e drejtësisë si gjyqtarë dhe prokurorë dhe japin vendime të padrejta. Drejtësia nuk është ishull i shkëputur. Ndodh një aksident me makinë, shkon polici në vendngjarje, e lëviz me një metër, vjen eksperti e pozicionon me 30 cm të tjera, e fotografon në një kënd që nuk i kap, prokurori nuk del nga zyra, dërgon atje njerëz të paaftë, nuk mblidhen provat siç duhet. Kopsitet dosja në atë mënyrë që…

Sulo: Mos ia qaj hallin atyre gjyqtarëve që e shohin këtë gjë dhe pastaj marrin pjesën e tyre…

Lapaj: I shkon dosja atje me akte të cilat e kanë deformuar realitetin e ngjarjes. Reforma në drejtësi duhet të shoqërohet patjetër dhe me një reformë të ekspertëve. Këta bëjnë namin sot në Shqipëri. Ajo që unë do them, që korrupsioni nuk është një efekt i një ishulli të izoluar që e kanë këta prokurorë e gjyqtarë dhe hajt i heqim këta, vëmë ca të tjerë dhe u ndryshua. Jo,  nëse iu themi këtë qytetarëve është një gënjeshtër me bisht e cila krijon pritshmëri të gabuara siç i krijoi dhe pastaj vjen një zhgënjim i madh. Njerëzve duhet t’u themi të vërtetën.

Korrupsioni është sëmundje dhe kancer shoqëror. Luftohet që nga shkolla, duke dhënë shembuj, duke ndryshuar mendësinë e mësimdhënies në vend, të atdhedashurisë, të qasjes ndaj të vërtetës, ndaj pronës së tjetrit. Te familja, kur fëmija shikon se si babai dhe nëna në darkë bëjnë muhabet sa lekë korrupsioni po ndajnë.

Sulo: Janë pasoja.

Lapaj: Që këtu duhet t’i ndryshojmë mentalitetin shqiptarit. Nëse 3 mln shqiptarë dalin në mëngjes nga shtëpia me bindjen se do venë të korruptojnë gjyqtarin, prokurorin, administratën, do zhvasin, unë të garantoj se ne nuk e mbajmë dot me 10 mijë policë dhe 700 gjyqtarë e prokurorë.

Sulo: E di si e mban, ta kanë thënë ata si e mbante Zogu një qytet? Në kohën e Zgut. Ça flet, ku ka njeri të ri? Ti po thua të bëhet njeriu i ri që të bëhemi ne.

Lapaj: Nuk thashë këtë. Me banka ndryshohet. Aty në bankë ngjizet ai studenti i drejtësisë. Falcone nuk qe një produkt që erdhi nga Kozmosi. Ne si shoqëri duhet të prodhojmë njerëz që marrin përsipër përgjegjësi për të ndryshuar vendin.

Sulo: Ai është eksperimenti që bëri komunizmi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb