TIRANE– Debatet kanë shoqëruar mbledhjen e sotme të Komisionit të Shëndetësisë, ku është paraqitur për seancë dëgjimore ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Duke folur për ecurinë e check-up-it në mbarë vendin, ministri Beqaj është ndalur tek kontrata me koncesionarin dhe përfitimet e regjistruara sipas tij.

Ministri tha se në sajë të këtyre kontrolleve është bërë e mundur të diagnostikohen në konë një sërë sëmundjesh, duke shpëtuar jetë njerëzish.

Por kryetarja e këtij komisioni, deputetja demokrate Albana Vokshi është ndalur tek kontrata me koncesionarin dhe korrupsionin e bërë në këtë drejtim sipas saj. Vokshi tha se koncesionarit i janë dhënë 1.7 mld lekë, duke parashikuar kontrolle për 110 mijë persona, por që nuk janë bërë asnjëherë.

Vokshi:
U dhanë para për 110 mijë kontrolle më shumë. Që ta dëgjojnë të gjithë se çfarë korrupsioni golapant keni bërë. Keni dhënë 1.7 mld lekë më shumë koncesionarit pa bërë asgjë. dhe tani i shtoni edhe më shumë.

Beqaj: Ne kemi programuar në buxhet për 550 mijë vetë. Aq ka qenë parashikuar. Ky zgjerim i ri nuk implikon asgjë as në buxhetin e miratuar për këtë vit. As për buxhetin e tre viteve.

Vokshi: Shpresoj që edhe deputetët ta kenë kuptuar se çfarë keni bërë. I keni dhënë koncesionarit para për 110 mijë check-up, pa bërë asnjë kontroll të ndonjë qytetari. Sa investime në qendra shëndetësore do ishin bërë me ato 1.7 mld lekë. Keni thirrur mjekët që ju mendoni se kanë performancë të ulët me check-up në qendra shëndetësore të vendit. Si mund të investohet personalisht një ministër në këtë gjë. Nëse nuk jeni të implikuar në këtë koncesion, ju nuk duhet të ndërhyni, apo të bëni këtë gjë. Duhet të ndryshoni veprim, se po zhyteni plotësisht në korrupsion.

Beqaj:
Nga këto kontrolle janë dhjetëra jetë njerëzish të shpëtuara nga këto kontrolle. Janë diagnostikuar në kohë sëmundje të zemrës, kancerit të zorrës së trashë, diabetit, etj.

Ndërsa më pas mbledhja ka degjeneruar në debatet dhe përplasje mes deputeteve femra në komision.

Vokshi: Klodi, ke 3 vjet që bën zhurmë.
Deputetja socialiste Klodiana Spahiu: Na lër të flasim dhe ne, se vetëm ti flet. Shko dërgoji në organet e duhura akuzat e tua.
Vokshi: E kam bërë. Edhe në prokurori i kam denoncuar.
Spahiu: Ke të drejtat e tua si kryetare, por nuk mund të flasësh vetëm ti.
Vokshi: Aman, Klodi, pusho. Z. ministër, ju lutem ma shpjegoni!
Beqaj: Pyetjeve provokuese për korrupsionin refuzoj t’i përgjigjem!
Spahiu: Ke kaq kohë që flet, na çmende.
Vokshi: Je bërë palë me këtë korrupsion.
Spahiu: Po si mund të flasësh vetëm ti, kur më ke këtu afër.
Vokshi: Po largohu.
Spahiu: Të lutem mos fol 3 minuta.
Vokshi: Debate ka pasur edhe me deputeten Arbiola Halimi.
Spahiu: I shkatërrove njerëzit mi që kanë nevojë.
Vokshi: Mirë të lutem mos qaj aman.
Spahiu: Si mundesh ti të mos merresh me qytetarin që ka nevojë.
Vokshi: Lëri këto vajtime me lot krokodili, bëj pyetjet.
Spahiu: Ti kë vajtuar kot gjithë këto vite, bën sikur të interesojnë shqetësimet e tyre.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb