Edhe pse u zotuan të gjithë, që tri organet e vetingut do të kenë mbështetje financiare dhe me burime njerëzore pa kufi, dje, përfaqësuesit e maxhorancës në Komisionin e Ligjeve janë treguar dorështrënguar me numrin e punonjësve që do të punojnë në to, shkruan “Panorama”. Të tri trupat gjyqësore të organeve të vetingut kanë kërkuar nga Parlamenti që t’i mundësojë në total 185 punonjës, të cilët do të bëjnë verifikimin e pasurive, integritetit dhe aftësive të 800 prokurorëve dhe gjyqtarëve në të gjithë Shqipërinë.

Por, për deputetët e Partisë Socialiste, kërkesat ishin shumë të larta. Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm i Apelimit, Natasha Mulaj, ka theksuar se, bashkë me kolegët, kishte punuar një muaj për të hartuar strukturën mbështetëse, e cila do të ketë në përbërje, këshilltarë ekonomikë dhe financiarë, si dhe punonjës në sektor të dokumentacionit dhe përkthimeve.

Relatorja e Komisionit të Ligjeve, Klodiana Ferhati Bushkaj, ka krahasuar strukturën e komisioneve të vetingut me atë të Avokatit të Popullit, duke thënë se kanë propozuar më shumë staf se institucionet e tjera. Madje, deputetja e PS ka propozuar që anëtarët e Kolegjit të Apelimit, me që do të jenë pranë gjykatës Kushtetuese, të përdorin shërbimet dhe strukturat e kësaj gjykate.

“Ju, si kolegj i posaçëm, jeni pranë Gjykatës Kushtetuese, keni të drejtë të përdorni shërbimet e saj për kryerjen e detyrave. Një koordinim me çfarë mund t’ju ofrojë Gjykata Kushtetuese, mund të jetë mundësi e mirë për të parë strukturën”, tha dje relatorja e PS. Por edhe Bashkim Fino ka quajtur si absurd që gjyqtarët të kishin shoferë personalë 25 punonjës të shërbimeve mbështetëse.

“S’mund të kenë 9 shoferë, jo se s’kanë deputetët shoferë, por se s’duhet të ketë. Ligji thotë që të gjitha shërbimet duhet ta kryejë Gjykata Kushtetuese. Po sikur të them, që sektorin e ndihmës ta bëjë Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Fino.

Por ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka dalë kundër kolegëve duke kërkuar që propozimet të plotësohet, mjafton që të nisë puna dhe të spastrohet sistemi i Drejtësisë.

“Këtu jemi rritur. Vetëm KLD dhe Gjykata e Lartë, pasuria e tyre shkon rreth 8 miliardë lekë. Ju më garantoni mua, që do t’i hiqni nga puna këta gjyqtarë që nuk justifikojnë pasurinë. Nëse ju duhet, merrni në punë këtë doni”, tha dje Tahiri, i cili ishte në një linjë me deputetët e opozitës.

Kryetarja e Kolegjit të Apelimit, Natasha Mulaj, e shqetësuar nga mospërkrahja e deputetëve, ka thënë dje se struktura ishte reduktuar në maksimum dhe do t’i qëndronte propozimit të saj deri në fund.

“Kjo strukturë nuk është kaluar për disa ditë, por është punuar mbi një muaj me të. Jemi juristë që të gjithë, kemi punuar me këtë strukturë dhe kemi parë dhe strukturat e institucioneve. Këtu është reduktuar ku nuk mban më. Nuk ka më reduktim, për mendimin tonë. Ne jemi pro dhe e mbrojmë me çdo kusht dhe klasifikimin e pagave dhe çdo gjë që kemi paraqitur këtu. Nuk ka tërheqje mbrapa. Ky është vendimi ynë. Ju keni punuar në institucione, por asnjë institucion se keni bërë nga e para. Duhet ta vlerësoni, ne jemi ata që ndërtuam nga themeli”, ka thënë Mulaj.

Dje, Komisioni i Ligjeve nuk e miratoi strukturën e organeve të vetingut. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, tha se i ka dërguar një shkresë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, për nivelin e pagave që duhet të kenë gjyqtarët e tri komisioneve.

DEBATI NË KOMISIONIN E LIGJEVE

Natasha Mulaj (Kryetare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit): Struktura jonë përbëhet nga kryetari dhe kabineti tij. Kolegji i gjyqtarëve, njësia e shërbimit ligjor, Sekretarin e Përgjithshëm, Drejtorinë gjyqësore dhe dokumentacionit. Drejtorinë e marrëdhënieve me publikun dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Drejtorinë për përkthimit dhe drejtorinë ekonomike dhe të burimeve njerëzore. Këtë strukturë e kemi ngritur duke i’u referuar Gjykatës Kushtetuese. Shuma totale e punonjësve është 65 persona. Çdo gjyqtar, kemi propozuar që të ketë një këshilltar…

Bashkim Fino(PS): Mua me rezulton se 40 për qind e numrit total të kësaj shume e përbën vetëm sektori i ndihmës. 25 veta në 65, janë 40%. S’mund të kenë 9 shoferë, jo se s’kanë deputetët shoferë, por se s’duhet të ketë. Ligji thotë që të gjitha shërbimet duhet t’i kryejë Gjykata Kushtetuese. Po sikur të them, që sektorin e ndihmës ta bëjë Gjykata Kushtetuese. A ka mundësi të ketë një sektor ndihmës për të tre sektorët që t’u shërbejë të tri institucioneve?! Kjo strukturë e fryrë.. Ne kemi thënë që me standardet e reja, duhet t’i marrim punonjësit me nga 2 apo 3 gjuhë. Tani më duhet të marrë dhe 5 specialistë-përkthyes të rrinë aty kot. Kjo është absurde.

Nasip Naço(LSI): Dua të deklaroj votën time pro dhe pa rezerva të këtij komisioni për strukturën. Nuk është problemi 65 apo më shumë, t’i heqim diku tjetër. Por t’i japim mundësinë këtij komisioni të fitojë kohën e humbur. Reforma nuk pret dhe Shqipëria nuk pret. Vota ime është pro dhe e pakushtëzuar.

Eduard Halimi(PD): Konferenca e kryetarëve ka përcaktuar datën 5 tetor për të miratuar në seancë plenare këtë vendim. Kemi dy javë, që ne, këtë komision ta trajtojmë me përgjegjshmëri, këto vendime. Shqetësimi ka të bëjë me dhënien e çdo mundësie të komisioneve të vetingut, që ato të jenë të pavarura dhe që të ecin me efikasitet dhe dhënia e mbështetjes financiare, me njerëz dhe me struktura nga qeveria, në mënyrë që procesi të ecë me shpejtësi dhe jo me 10 vjet. Procesi duhet të përfundojë sa më shpejt, për gjyqtarët, për prokurorët, për Kryeministrin dhe ministrat, e me radhë…

Tom Doshi(PSD): Kryetar, kam një pyetje..

Ulsi Manja(PS): Të lutem, t’i qëndrojmë rendit të ditës…

Tom Doshi(PSD): Ome se kam tri herë që kërkoj fjalën dhe s’po ma jep. Fillove ti, qysh ditën e parë..

Ulsi Manja(PS): Nuk diskutojmë dakordësinë dhe vullnetin politik, për të ngritur sa më parë fillimin e punës në këto institucione. Ky vullnet është treguar në miratimin e ligjit të vetingut. Mos hallakatemi shumë se s’kemi për të bërë filozofi të madhe…

Tom Doshi(PSD): Unë propozoj që ta votojmë që sot, sepse në qoftë se fillojmë diskutojmë për strukturën, ne fillojmë dyshojmë qysh sot. I kemi dhënë besimin që të marrin në shqyrtim sistemin e drejtësisë dhe ata e kanë menduar që janë të nevojshëm, edhe shoferët edhe magazinerët, edhe këshilltarët.

Nasip Naço(LSI): Hidhe në votim në parim sot dhe ditët e tjera në tërësi.

Saimir Tahiri(PS): Më shumë se sa kë do të merrni në punë ju, më shumë i shqetësuar jam se kë do të hiqni ju nga puna. Më shumë se sa do të merrni ndihmës, apo këshilltarë, jam i shqetësuar se kë gjyqtar dhe kë prokuror do të hiqni nga puna. Këtë pres unë. Nëse juve ju duhen 60 ndihmës, unë jam gati t’ju votoj edhe 600, mjafton që ju të bëni detyrën. Kam të gjithë të drejtën e Zotit të jem skeptik për këtë. Këtu jemi rritur. Vetëm në KLD dhe Gjykatën e Lartë pasuria e tyre shkon rreth 8 miliardë lekë. Ju më garantoni mua që do t’i hiqni nga puna këto gjyqtarë që nuk justifikojnë pasurinë. Nëse ju duhet merrni në punë kë të doni.

Natasha Mulaj(kryetare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit): Kjo strukturë nuk është kaluar për disa ditë, por është punuar mbi një muaj me të. Jemi juristë, që të gjithë kemi punuar me këtë strukturë dhe kemi parë dhe strukturat e institucioneve. Këtu është reduktuar ku nuk mban më. Nuk ka më reduktim, për mendimin tonë. Ne jemi pro dhe e mbrojmë me çdo kusht dhe klasifikimin e pagave dhe çdo gjë që kemi paraqitur këtu. Nuk ka tërheqje mbrapa. Ky është vendimi jonë. Ju keni punuar në institucione, por asnjë institucion s’e keni bërë nga e para. Duhet ta vlerësoni, ne jemi ata që e ndërtuam nga themeli.

Bashkim Fino(PS): Ne kemi bërë institucione, atëherë bëje vetë strukturën, mos hajde këtu. Bëre gabim…

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb