TIRANE– Mbledhja e sotme e Komisionit të Ligjeve është shoqëruar me debate për shkak të një vendimi të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për të hetuar pasurinë e deputetit Tom Doshi.

Teksa po diskutohej ligji për deklarimin e pasurisë, Doshi hodhi akuza ndaj ILDKP-së, duke e cilësuar si “institucionin më të korruptuar në vend” duke sjellë si argument faktin se “çdo vit atij i bie shorti për t’iu kontrolluar pasuria”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i ILDKP-së, i pranishëm në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ligjeve deklaroi se “Doshi është subjekt kallëzimi për fshehje pasurie dhe po hetohet në prokurori”.

Ligji për deklarimin e pasurisë, i cili po diskutohet në Komisionin e Ligjeve, është pjesë e paketës së reformës në drejtësi.

DEBATET
Tom Doshi: ILDKP është institucioni më i korruptuar në vend. Kryetari i tij, njeriu më i korruptuar që ekziston. Jeni mashtrusa që nga i pari te i fundit. Mos më tregojë fytyra e tij (Shkëlqim Ganaj) që jam në hetim.
Përfaqësuesi i ILKDP: Doshi është subjekt kallëzimi për fshehje pasurie dhe po hetohet në prokurori.
Tom Doshi: Mua çdo vit më bie shorti për t’u kontrolluar? Kjo tregon se Ganaj është njeriu më i korruptuar. Për 22 milionë euro pastrim parash jam akuzuar. Më parë i ka shkuar akuza mediave sesa mua. Kanë 2 vjet që ia shpërndajnë mediave për të përlyer fytyrën time.
Vasilika Hysi: Mund të dilni jashtë të diskutoni këto çështje.
Kaq është dashur që Tom Doshi t’i kthehet ashpër koleges së tij: Rri aty ti Vasilika se atë e di unë. Jeni mashtrusa, që nga i pari te i fundit. Mos më tregojë mua fytyra e këtij, që jam nën hetim. Të jesh më e kujdesshme, kur flet! Kuptove?

Dhe Vasilika Hysi heshti

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: