NGA Valentina MADANI

TIRANE– Paraardhësit e saj, Natasha Lakos i lanë trashëgimi dijen, kurse ajo mendoi për diçka edhe më të madhe, që fëmijët e saj e bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë Shqipërinë një ditë të mund të jetonin të lirë. Ndaj guxoi 27 vite më parë. Atë çfarë përjetoi gjatë periudhës së vështirë të rrëzimit të diktaturës, ku jeta ishte një hap larg vdekjes, Natasha Lako e rrëfen për herë të parë për “Gazeta Shqiptare” sikurse flet për përfshirjen në krijimin e PD-së, angazhimin dy mandate radhazi në Kuvend, debatet që e shoqëruan PD në momente kyçe të historisë së saj deri në largimin nga politika. Natasha Lako është shkrimtare, skenariste e një sërë filmash shqiptarë, publiciste. Ajo është përfshirë në antologji botërore të poezisë dhe në disa përmbledhje ndërkombëtare poetike.

Por Natasha Lako është ndër të parat intelektuale në vend që iu bashkua që në fillim Lëvizjes për demokraci në dhjetor ’90, është bashkëthemeluese e PD-së dhe dy herë deputete e saj në parlamentin e parë pluralist.

Zonja Lako a jeni e ftuar sot në pritjen e organizuar nga z.Basha për 27 vjetorin e themelimit të PD-së?
Jo nuk jam e ftuar.

I dini arsyet?
Jo nuk i di dhe nuk dua të bëj asnjë koment lidhur me këtë çështje.

Cila ishte jeta juaj në vitet e komunizmit?
Te ne flitet shumë pak për brezin e lindur pas Luftës së Dytë Botërore, sepse vëmendja gjithnjë shkon tek brezi mbi ne, tek prindërit tanë, tek ata që krijuan një sistem, për të cilin asnjë herë nuk u rrëfyen deri në fund, siç bën çdo njeri kur ikën nga kjo botë. Dhe sot duhet të rrëmosh nëpër arkivat angleze, ose në kujtimet e Esesëve, që të kuptosh vendin tënd. Shumë gjëra nuk u thanë kurrë dhe tani secili nga ne thotë Eureka, sa herë zbulon diçka. Jeta ime nuk mund të ketë zbulime kaq pikante, përveçse ca copëzave të krijimtarisë sime, pa asnjë lidhje me gladiatorët e sotëm. Ajo është si e gjithë shqiptarëve të tjerë, me të njëjtin sistem të gjetur arsimor, të njëjtat tema hartimi, me të njëjtat autokritika të stileve të ngjashme, me të njëjtën kërcënim nga sindroma e Stokholmin që të rrinte prapa dere.

Nga ana tjetër, një vajzë e vetme e një familje korçare, me njërin gjysh të emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili që në vitin 1908 me ato gjysmë letrat e tij, kishte krijuar ndoshta alfabetin e tij me shkronja spontane të anglishtes. Dhe me tjetrin gjyshin beratas, i cili prej vitit 1914 deri në vitin 1917 la të shkruar një ditar shumë personal që sot gjendet në Arkivin e Shtetit. Dhe këtë e them, se baballarët tanë nuk patën mundësi të linin pas ndonjë trashëgimi ekonomike, sa të gjithë sot flasin më tepër për gjyshërit e tyre. Por kjo nuk do të thotë që për kohën të mos kisha një pagë të mirë. Shtoj këtu se jam një nga shqiptarët e pakët që kam parë shumë para rrëzimit, murin e Berlinit, tronditëse edhe kjo.

Mos prisni të komentoj edhe më tej jetën tonë brenda një miniaturë të çuditshme të një pushteti jashtëzakonisht të përqendruar, një bisht pushteti oriental europian që ka pasur karakteristikë mijëra vjeçare zhvillimin e sistemit ujor, që ne e kemi parë me sytë tanë, vetëm në mes të shekullit të XX. Por kjo nuk na pengonte të këndonim: ‘Sa i gjerë dhe sa i gjatë ky kanali i Myzeqesë…”. Dhe kjo sigurisht nuk do të më kujtohej pa përmbytjet e kohëve të fundit dhe pa u menduar gjatë se përse sistemi ynë ujor u shkatërrua.

Por meqenëse detajet janë ndonjëherë më të rëndësishëm nga vetë dëshmitarët, mund të më përfytyroni, para ca ngjarjeve të tjera të mëdha, sapo të kthyer nga Greqia, me një kovë plastike pastrimi nëpër një tren çalë-çalë për ta çuar si model në fabrikën e plastikës në Durrës, në mbrojtje jo të të drejtave, të përgjithshme të grave, por vetëm të duarve të tyre. Besoj se ndonjë grua e asaj fabrike plastike e mban mend dhe e ka kuptuar se aleanca ime me jetën e çdo gruaje shqiptare ka qenë gjithnjë e para. Dhe kuptohet gëzimi im, kur pas rrëzimit të murit të Berlinit dhe pas vizitës së Perez De Kuelarit, të rrëzohej i pari në Shqipëri dënimi me vdekje për gratë.

Si ju gjeti viti ’90 dhe sa e vështirë ishte kundërvënia ndaj një regjimi diktatorial që kishte qeverisur shqiptarët për 50 vite me radhë?
Me një mike të mirë si Eglantina Mandija, shkrimtare, nga e cila sapo kisha dëgjuar çfarë është kufiri i çuditshëm në jetën e një gruaje kur kapërcen moshën 40 vjeçare. Ndoshta se rriten fëmijët. Me shfaqjen në maj të ’90-ës të filmit “Fletë të bardha” që flet për krizën e jetës krijuese dhe familjare të një shkrimtari të stanjacionit shqiptar dhe që na dha me tepër se sadisfaksion shqetësime të mëdha; na bëri të kuptojmë nga njerëzit që na merrnin në telefon se Shqipëria po ndahej hapur në dy krahë. Me një letër dërguar Ramiz Alisë pas kërcënimeve të botuara publikisht, si atakues të sistemit dhe statuskuosë së vendosur dhe menjëherë si shpëtimtare për ne, ngjarjet e dy korrikut, ndarjen tjetër të madhe të shpallur mes njerëzve që mbanin në këmbë ende pushtetin dhe njerëzve që kërkonin të largoheshin si në një formë braktisjeje dhe shpëtimi prej tij. Me ca shqiptarë mendjehollë, të cilëve u kishte rënë ndërmend të shisnin në treg hapur që të mos i zinte policia me shkelma, krahas tufave të majdanozit dhe të koprës, portretin e Enver Hoxhës, Ajnshtajnit dhe Jezu Krishtit.

Në këtë vorbull të ngatërruar më bie ndër mend shpesh se një ditë pas deklaratës së Kadaresë që kishte lënë Shqipërinë, shkova në shtypshkronjën që quhej “8 Nëntori” të marr pesë kopjet e vëllimit tim poetik ‘Natyrë e qetë’ të cilin e dua shumë. Portieri nuk po me linte të hyja, ndoshta nga një urdhër i drejtorit që po dilte rastësisht, dhe unë pata rastin të dëgjoj mallkime për të gjithë shkrimtarët.

Për çfarë ‘mallkimesh’ bëhet fjalë…?
Po, po, dëgjova atë frazën e shkruajtur po prej Kadaresë; ”A këta shkrimtarët!!” Sepse nuk po flasim për stereotipin e krijuar tashmë të intelektualit që i afrohet vetëm atij që fiton, por për ditë të turbullta, kur nuk dihej se si do të shkonin punët. Atë ditë në oborrin e shtëpisë botuese është bërë një miniprotestë e vërtetë e grave që ndoqën debatin mes meje dhe zyrtarit. Por kjo nuk kishte fare rendësi përpara përzemërsisë së çuditshme që treguan punëtoret e shtypshkronjës. Këto gra të vitit ’90, më hapën portën a deriçkën, më dhanë pesë kopjet e librit me një vështrim gati të lumtur ngaqë kisha kundërshtuar fort udhëheqësin e tyre të vogël dhe të gjitha më ofruan nga buka që kishin marrë me vete. Po fillonte një kohë e re e historisë moderne, në kushtet e buzëve të thara. Dhe mendoj se këto hapa, të parat për ndryshim në Shqipëri i kanë bërë gratë.

Kam qenë e pranishme në një mbledhje, kur filluan të ankoheshin për herë të parë me zë të lartë se nuk kishte në dyqane as tenxhere. Madje edhe kam shkruar se si bërtisnin se nuk gjenin më tiganë, sa dukej se po paralajmërohej edhe fundi i skuqjes së patateve.

Në çfarë viti bëhet fjalë për këtë protestë që përmendi ju?
Bëhet fjalë në vitin 1988. Ka qenë një mbledhje e bashkimit të grave në Tiranë.

Sa ndikoi takimi i 12 gushtit ’90 i intelektualeve të kryeqytetit me ish- presidentin komunist Ramiz Alia në ndezjen e shkëndijave të para të demokracisë shqiptare? Sipas jush ndryshimin e sollën intelektualët apo studentët?
Nuk mendoj se kjo mbledhje me intelektualë ka ndonjë peshë të madhe, sepse i ngjante thjeshtë një mbledhjeje të hapur partie. Madje nuk mund t’i tejkalonte dot ngjarjet e 2 korrikut me vrulle të shumta që nuk përmenden asnjëherë me hollësi dhe nuk mund të shërbente si shkëndijë për lëvizjen e dhjetorit. Ka gjithnjë njëfarë kakofonie me shumë lloj ndikimesh nga lart, sepse ne i vështrojmë ngjarjet të derdhura nga lart, gjë që sigurisht vazhdon të shkaktojë shumicën e problemeve shqiptare. Lëvizja e studentëve, ishte shumë më përpara se ajo e qëndrimit të intelektualëve shqiptarë. Të rinjtë sigurisht kishin nevojë për të pasur rreth e rrotull disa njerëz me prestigj publik, por edhe kjo aleancë do të ishte tepër e shkurtër, sepse përvoja gjithmonë të mposht.

Intervistën e plotë e lexoni në Gsh.al:

http://www.gsh.al/2017/12/11/e-plote-debatet-ne-91-ish-themeluesja-e-pd-se-dreka-me-berishen-dhe-shqetesimi-i-tij-nje-dite-pas-rrezimit-te-bustit-pse-propozova-driteroin-kryetar-kuvendi/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: