Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, i është përgjigjur interpelancës së kërkuar nga deputeti Kostaq Papa për shqiptarët në rajon.

Duke sjellë në vëmendje zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut, që sipas saj, rezultuan historike për faktorin shqiptar, Spiropali tha nga foltorja e Kuvendit se kjo interpelancë vjen në një moment shumë të rëndësishëm për shqiptarët në rajon.

Ministrja përmendi disa nga nismat, që sipas saj, qeveria ka ndërmarrë në ndihmë dhe mbrojtje të shqiptarëve në rajon, por është kundërshtuar nga deputeti Papa, i cili ka theksuar se Serbia po defaktorizon shqiptarët e Preshevësh dhe Medvegjëz, me ndihmë të qeverisë së Tiranës.

Pjesë nga debati:
Spiropali: Kjo interpelancë vjen në moment shumë të rëndësishëm për shqiptarët në rajon. Konstatojmë se zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut rezultuan historike për faktorin shqiptar.

Qeveria shqiptare ka treguar në vijimësi një vëmendje dhe përkujdesje të shtuar për shqiptarët në rajon. Kemi ngritur zërin për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore, kemi adresuar problematika në respektimin e tyre. Realiteti flet për një trajtim të pabarabartë për shqiptarët në Serbi. Flitet për mungesë besimi, për diskriminim të dukshëm të shqiptarëve, për mungesë perspektive dhe mos përfaqësim të tyre në strukturat shtetërore. Është arritur që nxënësit të kenë tekste shqipe këtë vit. qeveria ka lokuar mbi 100 mijë euro vetëm për shqiptarët në Luginën e Preshevës, ka restauruar shkollat në Bujanoc e Luginë. Janë bërë të gjitha përpjekjet nga shteti shqiptar për harmonizim në Serbinë e Jugut.

Papa: Është genocid i padukshëm. Koalicioni në Kosovën Lindore nuk ka substancë konkrete. Duhet harmonizuar faktori shqiptar në terren. Serbia faktorizon serbët në Kosovë dhe defaktorizon, me ndihmën e qeverisë së Tiranës, shqiptarët e Preshevës, të Medvegjëz, të cilët të papërfaqësuar ndihen të shtypur. Medvegja nuk është mbrojtur sa duhet. Çështja shqiptare është penguar nga Tirana, Prishtina, Shkupi, për arsye të atyre në pushtet.

Spiropali: Z. Papa bisedimet diplomatike nuk janë ulje në tryeza baresh dhe përfaqësuesit nuk janë gra, që në përfytyrimin tuaj joshen me një uiski. Duhet ta shikoni fituesin shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ne nuk ndikojmë te rreshtimi politik, por ne veprojmë, ashtu sic kemi vepruar me Luginën e Preshevës, kur për herë të parë bashkuam faktorin shqiptar në një listë të vetme.

Papa: Mos më ndërprisni, nëse kaloj disa sekonda. Duhet krijuar një ministri, duhet dhënë pasaporta shqiptare për të gjithë shqiptarët në këto zona. Duhet reagim i fortë politik dhe diplomatik në cdo rast, investime, ndryshim të përfaqësive diplomatike për të hequr korrupsionin e nepotizmin. Duhet një platformë e shpejtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb