Ditën e sotme mbledhja për Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik është zhvilluar me diskutime dhe debate.

Shkak i diskutimeve është bërë edhe mungesa e kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushit, në seancën dëgjimore të mbajtur.

Kërkesa e cila ishte bërë nga ana e deputetes Ina Zhupa. Deputetja në kërkesën e saj kërkonte praninë e titullarëve për të diskutuar për tri projektet e mëdha të institucionit, Enciklopedisë, Fjalorit dhe Historisë.

“Pyetjet që do të shtroj janë me interes publik. Unë nuk e pyes a ka botime shkencore Skënder Gjinushi, se atë e di i madh e i vogël që nuk ka”, u shpreh  Zhupa.

Deputeti i mazhorancës, Ismet Beqiraj tha se nuk ka pse të arrihet deri në atë pikë sa t’u bëhet gjyqi.

“Duhet t’i dëgjojmë me shumë respekt dhe jo me emra të përveçëm tu bëjmë gjyqin, sidomos institucionit të shenjtë Akademisë së Shkencave”, tha Ismet Beqiraj.

Nga ana e saj Flutura Açka tha: “Meqenëse ju po merrni përsipër që të bëni avokatin e tij, po ju shtroj unë një pyetje: Si ka mundësi që ai nuk merr mundimin të vijë deri këtu, në një kohë që ju keni sjellë në Parlament një projektligj për t’i shtyrë atij mandatin edhe 4 vjet? Kur ai nuk ka fuqi të vijë deri këtu, se unë nuk dua ta besoj se është e qëllimshme që ai nuk vjen deri këtu”.

Sakaq Zhupa foli edhe për manipulim të zgjedhjeve të anëtarëve të rinj të Akademisë së Shkencave.

“Zgjedhjet që janë bërë në 6 shkurt në Akademinë e Shkencave janë dirigjuar nga kryetari i Akademisë së Shkencave, dhe për këtë Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimin, ka ngritur një hetim”, tha Zhupa.

“Po jemi në komunikim për Komisionerin për Antidiskriminimin, për shkak të ankesës që ka bërë një nga kandidatët”, u shpreh akademiku Shaban Sinani.

“Do të jetë pjesa e pellazgologjisë, por e shpjeguar në mënyrë shkencore. E njëjta gjë edhe për periudhat e tjera. Ka mijëra dokumente të reja për figura si Skënderbeu. Debati që jo ishte kaçak. Apo Ali Pashë Tepelena.”, tha arkeologu Neritan Ceka.

Akademiku Memisha informoi komisionin për ecurinë e shkrimit të Fjalorin të Madh të shqipes.

“ Jemi në kulmin e punës për Fjalorin e Shqipes, i cili do të ketë 100 mijë njësi, nga të cilat 90 mijë fjalë dhe 10-11 mijë njësi frazeologjike”, tha Memisha.

Zhupa ngriti dyshime mbi bashkëpunimin me Kosovën për këtë projekt.

“Ky komision është keq informuar nga ASH, duke iu thënë nga kreu Gjinushi se fjalori do të bëhej me Kosovën, kur ajo e ka të mbaruar fjalorin e vet”, u shpreh deputetja Zhupa.

“Nuk është e vërtetë, ne kemi një marrëveshje bashkëpunimi për fjalor të përbashkët me kreun e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, tha Sinani.

Zhupa u ndal edhe tek struktura e ngritur për shkrimin e Enciklopedisë Shqiptare.

“Doja ta pyesja vet Gjinushin, çne kryetari i Akademisë në krye të ‘Enciklopedisë’”, tha deputetja.

Më tej Zhupa shtroi 47 pyetje për Akademinë e Shkencave, disa prej të cilave sipas deputetit Ismet Beqiarj ishin fyese për akademikët, të cilët i ftoi që bashkë me të ndërprisnin seancën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb