Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Selami, ka kritikuar dje kolegun e tij, demokratin Aldo Bumçi, se me qëndrimet e tij po krijonte idenë se opozita është kundër integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Debati jo i zakonshëm ndodhi dje gjatë mbledhjes së Komisionit të Jashtëm, ku ishte e ftuar zëvendësministrja e Jashtme, Odeta Barbullushi, për të raportuar rreth progresraportit të pritshëm për
Shqipërinë në muajin nëntor.

Zëvendësministrja e Jashtme tha dje se Bashkimi Europian pritet të japë raport pozitiv për Shqipërinë, por demokrati Aldo Bumçi tha se raporti nuk mund të jetë pozitiv, pasi situata në vend është e përkeqësuar.

Bumçi ka ironizuar me qeverinë, duke përdorur një refren kënge për të treguar situatën e hashashit, që, sipas tij, ka mbuluar malet e Shqipërisë. Bumçi tha se malet me blerim mbuluar nga hashashi bënë
që trafikantët të ndërtojnë një pistë 1.5 kilometra të gjatë për të ulur avionët e drogës. Por ky qëndrim i Bumçit u kritikua nga kolegu i Partisë Demokratike.

QËNDRIMI I SELAMIT
Selami tha se shqetësimet e Bumçit që ngriti në emër të opozitës ishin reale, por ato nuk duhet të sqarohen se opozita nuk është kundër hapjes së negociatave. Ish-kreu historik i PD­-së tha se opozita nuk duhet të bëhet pengesë për integrimin e vendit, pavarësisht se situata në Shqipëri ka një sërë problemesh.

“Dua të sqaroj që zoti Bumçi, nënkryetari i komisionit, si përfaqësues i opozitës këtu ka thënë shqetësime reale të opozitës, por unë nuk dua të krijohet mendimi dhe keqkuptimi që zoti Bumçi nuk është për hapjen e negociatave. Apo jo, zoti Bumçi? Pavarësisht problemeve që janë shqetësuese, pavarësisht nga problemet e mëdha që ka Shqipëria lidhur me krimin e organizuar, luftën kundër korrupsionit, gjendjen në të cilën është drejtësia, unë mendoj që ne si opozitë kemi qenë dhe jemi të qartë që nuk do të bëhemi pengesë për hapjen e negociatave. Kjo nuk do të thotë që ne nuk do të vazhdojmë luftën për përmirësimin e këtyre gjërave, kjo nuk do të thotë që ne nuk do të vazhdojmë luftën për thellimin e reformave në Shqipëri, sepse anëtarësimi i Shqipërisë në Europë nuk është qëllim në vetvete, por shkon krahas me forcimin e demokracisë në Shqipërisë”, tha Selami.

Deputeti i Partisë Demokratike tha më tej se opozita nuk duhet të bëjë të njëjtat gabime si ato që bëri kryeministri aktual, kur ishte në opozitë.

“Unë mendoj që nuk duhet të përsërisim gabimin që ka bërë opozita e djeshme dhe kryeministri i sotëm, i cili vuri veton vite më parë dhe e pengoi. Kështu që ne si opozitë nuk jemi kontradiktor të kërkojmë me
insistim plotësimin e këtyre kritereve, të ngremë si shqetësim që disa gjëra kanë shkuar dhe mbrapa, por, nga ana tjetër, të vendosim atë linjën që të gjitha këto nuk do të thotë që nuk jemi për hapjen e negociatave”, tha dje deputeti i PD­së. Por pas kësaj ndërhyrjeje, nënkryetari i komisionit, Aldo Bumçi, nuk e mori më fjalën.

Aldo Bumçi: Nuk e di a jetojmë në të njëjtin vend, por do të ishte e habitshme që progres­raporti të ishte pozitiv. Ne presim të dalë në nentor. Kryeministri përmendi një fjali në takimin me Policinë e Shtetit, e paprecedentë se si mund të ndodhë në një vend kandidat për në BE, anëtar i NATO­s, t’i drejtohet Policisë së Shtetit dhe t’i thotë se opozita është më e rrezikshme se krimi për ju. Krimi dhe opozita janë një. Cili njeri me mend në kokë, përveçse mund të jetë nën efektin e overdozës së Dibrës…
Arta Dade: Ju lutem, ruani etikën.
Aldo Bumçi: Si mund t’i drejtohet ai Policisë së Shtetit dhe t’i thotë opozita është më e rrezikshme se krimi dhe ju flisni për përmirësime të kriterit politik?!
Arta Dade: Gjeni mjedisin dhe më vjen keq që ky mjedis helmohet nga pasioni juaj… Ju e dini që Komisioni i Politikës së Jashtme nuk mbytet me politikën e ditës.
Aldo Bumçi: Unë do të mbaroj pikat e mia, mos më ndërprisni. Ju merreni fjalën pas meje.
Arta Dade: E para, flisni me më pak pasion. E dyta, për Kryeministrin nuk mund të flasë zv.ministrja. Ju si opozitë nuk keni shfrytëzuar mundësinë për interpelanca. Më shumë interpelanca kanë bërë anëtarët e maxhorancës sesa ju. Të gjitha palët janë dakord që Shqipëria të anëtarësohet, ndërkohë që ju vazhdoni të hidhni baltë. Reforma në Drejtësi nuk duhet të pengohet dhe ligjet e saj, në mënyrë që t’i jepet mesazh BE-­së.
Aldo Bumçi: Ka një pistë prej 1.5 kilometrash nga bandat për të eksportuar hashashin jashtë. Për çfarë vlere pozitive flisni ju? Malet me blerim mbuluar nga hashashi, siç është këtë vit…
Eduard Selami: Unë nuk dua të krijohet mendimi dhe keqkuptimi që zoti Bumçi nuk është për hapjen e negociatave. Apo jo, zoti Bumçi? Pavarësisht problemeve që janë shqetësuese, pavarësisht nga problemet e mëdha që ka Shqipëria lidhur me krimin e organizuar, luftën kundër korrupsionit, gjendjen në të cilën është Drejtësia, unë mendoj që ne si opozitë kemi qenë dhe jemi të qartë që nuk do të bëhemi pengesë për hapjen e negociatave. Unë mendoj që nuk duhet të përsërisim gabimin që ka bërë opozita e djeshme dhe Kryeministri i sotëm, i cili vuri veton vite më parë dhe e pengoi. (Panorama)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: