Analisti Fatos Lubonja debatoi me deputetin Ralf Gjoni në emisionin “Real Story”, ku po diskutohet për marrëveshjet politike mbi Reformën Zgjedhore.

Lubonja e cilësoi emblematike deklaratën e deputetit Gjoni mbi ndërkombëtarët, të cilët kanë kërkuar miratim sa më shpejt të marrëveshjes së 5 qershorit mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare.

Ndërsa në kundërpërgjigje, Gjoni tha se janë këta ndërkombëtarë që kërkuan lista të hapura dhe tani po dalin kundër.

Lubonja: Mendoj që është e drejtë që secila palë ka interesat e veta dhe do të luftojë për to padyshim. Ajo që dua të them është se nëse ne kemi interesa të kundërta nuk mund të vendosë njëri për interesin e përbashkët. Për këtë të fundit duhet vendosur në mënyrë demokratike. Këtyre iu dha mundësia, ndërtuan një këshill, ku Rama kishte interes të kishte numëruesit të administratës, sepse e kontrollon vetë Rama, por u arrit që kjo pikë të zgjidhej. Doli një marrëveshje nga ky këshill, u diskutua nga ndërkombëtarët dhe gjithë debati u mbyll, dhe koalicionet nuk u prekën fare. Në momentin që pala në pushtet del kundër interesit të vetë, duke prishur marrëveshjen dhe duke bërë një marrëveshje kundër saj me opozitën parlamentare. Këtu është problemi i mosrespektimit të rregullave të lojës. Ajo që dëgjova te Ralf Gjoni ishte emblematike, sepse e filloi duke folur për ndërkombëtarët, duke thënë se ne jemi sovranë dhe ata jo.

Gjoni: Janë këta ndërkombëtarë që ne na kërkuan dhe sot nuk janë për lista të hapura. Në takime, nuk po përmend emra, shumica e ndërkombëtarëve e kanë mbështetur kauzën tonë për lista të hapur. Tani ata nuk kanë dalë kundër listave të hapura, por kërkojnë të votohet marrëveshja e 5 qershorit. Unë iu kam thënë këtyre ndërkombëtarëve se nuk ma lejon faqja ta lë këtë kauzë kaq historike, të na e njohin këtë meritë dreqi e mori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb