Analisti Ismail Talloshi i ftuar në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me diskutimin e fundit mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Vuçiç në Bruksel sa i përket zbatimit të një marrëveshjeje të propozuar nga vendet evropiane.
Sipas tij kryeministri Kurti nuk është as tradhtar e as hero, ndërsa e ka cilësuar atë si një “iluzionist që të budallalleps me sy në ballë”, duke deklaruar se ai e ka përdorur çështjen e asociacionit më herët si një kartë elektorale.
Nga ana tjetër analisti Fatos Lubonja ka deklaruar se marrëveshja është propozuar nga Evropa dhe SHBA të cilat e duan Vuçiçin në anën e tyre dhe jo të Putinit, ndërsa shtoi se edhe vetë opozita kosovare ka qenë e të njëjtit mendim me Kurtin më parë, pra duhet të quhen të gjithë tradhtarë.
Pjesë nga biseda:
Tasholli: Kurti nuk është as tradhtar e as hero. Në Kosovë ne themi iluzionist që mashtron, pra të budallalleps me sy në ballë. Kurti e ka cilësuar Zajednicën serbe duke thënë që ose bie qeveria ose Zajednica ose të dyja vite më parë. Ky është diskursi i tij që ka pasur për asociacionin. Ky ka qenë gogoli i tij dhe nuk është e thjeshtë sepse ka mbledhur rreth vetes shumë vota me këtë kartë që ka qenë elektorale. Është bërë klishe që t’ia kujtojmë trashëgiminë e tij politike. Këto gjëra kanë dilema etike që duhen debatuar.
Kurti premisat e akuzave i ka idealiste, ato të mbrojtjes i ka relativiste. Mendoj që është brenda logjikës ku çdo marrëveshje që nënkupton Zajednicën e bën atë të vërtetë. Me sy në ball ajo e thotë që Zajednica është brenda marrëveshjes. Mospajtimi për kur të fillojë implementimi i Zajednicës ishte arsyeja pse nuk ranë dakord.
Lubonja: Është e vërtetë që Kurti e ka bërë si propagandë, por me një farë të drejte. Ishte një shtet brenda shtetit, por duhet parë konteksti, pse e duan serbët atë? Kjo mund të përdoret si një mënyrë për të destabilizuar vendin ka qenë argumenti i Kurtit dhe qëndron.
Kurti me këto deklarata mund të thoshte që po ikën fare, por këtu vijmë te historia e politikanëve në përgjithësi. Ndërrimi i një ideali për të qeverisur njihet. Ai ka interesat e veta të pushtetit, por kërkon të ruajë edhe një farë koherence për të ruajtur. Është problemi i SHBA dhe Evropës që i kanë thënë të pranojë këtë sepse e duan Vuçiçin me ta dhe jo me Putinin. Ai ka thënë që do e pranojë, por pasi Serbia të njohë Kosovën, gjë që nuk parashikohet nga kjo marrëveshje. Këtu jemi në një situatë ku luajnë të dy. Vuçiç thotë të njohë asociacionin dhe këtë e kërkon dhe Evropa. Kurti thotë të vetën dhe bën presionet e veta.
Talloshi: Opozita është shumë racionale, opozita te ne akuzohet si shumë e butë në fakt.
Lubonja: Opozita ka qenë për asociacionin dhe Kurti ishte kundër. Tani erdhi në pushtet dhe do ta bëjë. Duke patur dhe një presion shumë të madh Perëndimor duhet të quhen të gjithë tradhtarë.