Dihet që Franca është bërë kundërshtarja kryesore për hapjen e negociatave për anëtarësim midis Shqipërisë edhe BE-së. Ajo është shndërruar në një kundërshtare edhe më serioze se Holanda, pasi zëri i Francës në Europë peshon më shumë se ai i holandezëve. Kësaj vështirësie i shtohet tani dhe një tjetër. Pak ditë para 18 tetorit, kur pritet vendimi i instancave europiane për Shqipërinë, Presidenti Macron ka ftuar Parlamentin francez të hapë një debat parlamentar dhe publik mbi imigracionin në Francë.

Këto dy ngjarje, debati i brendshëm në Francë mbi imigracionin dhe 18 tetori për Shqipërinë në Bruksel, kanë fare rastësisht lidhje me njëra-tjetrën. Por pleksja e tyre e nxjerr sërish Shqipërinë në plan të parë të debateve politike franceze dhe të disa artikujve të mediave franceze. Dhe sërish ajo përmendet për keq.

Në këtë shkrim do të analizoj dy akse. I pari, negativ, thuajse i pashpresë për sa i përket një ndryshimi të orëve të fundit të qëndrimit francez mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Aksi i dytë është më shpresëdhënës. Nga debati parlamentar, po ravijëzohet një politikë e re franceze: krijimi i kuotave për emigrantë ekonomikë, që mund t’i bëjë mirë imazhit të Shqipërisë.

PROBLEMI I PARTISË SË MAKRONIT ME SHQIPËRINË

Me këtë nëntitull mund të përmblidhet ndjenja që mbizotëron në debatet politike në Francë. Lokomotivë e kësaj fryme negative për shqiptarët në Francë mbetet Le Pen. Por e reja e papritur është se që prej ardhjes në fuqi të Makronit në Francë, më 2017, këto iso kanë filluar t’i mbajnë dhe eksponentë të lartë të partisë së Presidentit, e cila udhëheq sot Francën. Njëra prej këtyre politikaneve në radhët e partisë së Makronit ka aq shumë fuqi dhe i ka bërë aq shumë dëm kauzës integruese të Shqipërisë, sa ajo meriton të ndalemi disa rreshta në këtë shkrim te roli i saj. Ajo quhet Natali Luazo (Loiseau). Diplomate e rangut të lartë (ish-drejtoreshë e mbarë administratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, znj. Luazo u emërua nga Makroni fillimisht si ministre e çështjeve europiane më 2017. Dy vjet më pas, Presidenti francez i besoi asaj të kryesojë listën e partisë “makroniste” për zgjedhjet europiane të majit të kaluar.

E ndodhur përpara rivalësh shumë të ashpër si Le Pen-it apo dhe kandidatëve të së djathtës së Sarkozisë, të gjithë njëzërazi kundër zgjerimit të BE-së në përgjithësi dhe kundër integrimit të Shqipërisë në veçanti, kandidatja e Makronit, Natali Luazo, u fut edhe ajo në korin e kundërshtarëve të Shqipërisë, tamam si në atë shprehjen “të bëhesh edhe më katolik se Papa”. “Kam qenë unë,- filloi të deklarojë me krenari në media Natali Luazo,-që e bllokova hapjen e negociatave me Shqipërinë në 2018, kur isha ministre e çështjeve europiane. Dhe sërish ne (domethënë Partia e Makronit) do ta bllokojmë Shqipërinë”. Kjo politikane arriti si përfundim një rezultat mjaft të kënaqshëm për partinë e Makronit në zgjedhjet europiane në Francë dhe sot kryeson grupin e eurodeputetëve të partisë së Presidentit francez në Parlamentin europian. Do të ishte më se naive të besohej se fjalët në fushatë të znj. Luazo kundër Shqipërisë i ka marrë era.

PROBLEMI I FRANCËS ME ZGJERIMIN

Franca nuk e do zgjerimin e mëtejshëm të BE-se dhe ky është strumbullari i të gjitha rezervave që ka Franca në këtë dosje. Këtu Franca dallon nga Holanda. Holandezët e vendosin veton e tyre ndaj Shqipërisë, duke u bazuar vetëm te mosplotësimi i një sërë kushtesh nga Shqipëria. Ndërsa për francezët, dilema është pak më ndryshe. Është zgjerimi vetë si koncept që hidhet poshtë në këto momente në Francë jo vetëm nga një parti radikale si ajo e Le Penit, por pothuajse i nga gjithë spektri politik francez. Francezët s’mund të pranojnë në gjirin e BE-së të tjera vende të Europës Lindore, kur janë tashmë shumë të zhgënjyer me vendet anëtare të BEsë nga Europa Lindore. Këto vende në sytë e udhëheqësve francezë kanë shumë mëkate janë njëkohësisht pro amerikanë të çmendur dhe antirusë të çmendur, nganjëherë në dëm të interesave të përbashkëta të një Europe të bashkuar. Këto vende abuzojnë shpesh me të drejtën e vetos në instancat europiane, duke bllokuar marrjen e vendimeve në fusha strategjike për BE-në sipas konceptimit francez. Po ashtu, këto vende janë trajtuar si egoiste nga Presidenti francez me refuzimin e tyre për të marrë një pjesë të barrës së refugjatëve që dynden në Europë nga brigjet e Afrikës apo nëpërmjet Turqisë. E së fundmi, këto vende të Europës Lindore në gjirin e BEsë kanë mëkatin (ndoshta kryesorin) se ushtrojnë dumping ekonomik, fiskal e social, ose siç thuhet ndryshe, konkurrencë të pandershme, që simbolizohet me figurën e punonjësit polak që punon në Francë, por që sigurimet shoqërore i paguan shumë më lirë në vendin e tij të origjinës. Në këtë mënyrë, Franca është ftohur sot me polakët dhe hungarezët (veçanërisht për dosjen e refugjatëve në BE që vendet e Europës Lindore nuk i pranojnë) apo me rumunët për shkak se Franca bllokon hyrjen e Rumanisë në hapësirën Shengen. Në Francë, debati shtrohet atëherë jo si ta zgjerojmë Europën (që është më shumë preokupim i gjermanëve që kërkojnë fuqi të lire punëtore), por si ta “ngushtojmë” Europën. Është kjo teza e famshme e Makronit, ta përmirësojmë fillimisht funksionimin e kësaj Europe që kemi, qoftë duke e përqendruar te disa fuqi që duan të avancojnë pa vendet e Europës Lindore, të cilat bllokojnë përpara se të shtrojmë çështjen e zgjerimit të BE-së në Ballkan.

Në këtë prizëm, Maqedonia përbën megjithatë një përjashtim. Maqedonia pati “fatin” të ketë mosmarrëveshjen me Greqinë, vend i BE-së. Në shkëmbim të dorëzimit të saj përballë kërkesës së vazhdueshme të Greqisë për ndryshimin e emrit, Maqedonia fitoi dritën jeshile për hapjen e negociatave. Ashtu si Serbia mund të shkëmbejë në një të ardhme të shpejtë njohjen e Kosovës me anëtarësimin e saj në BE. Këto akrobacira diplomatike me zgjerimin e BE-së në disa vende të veçanta, Franca nuk i bllokon, sepse bëhet fjalë për interesa strategjike të vetë BEsë. Por Shqipëria e “shkretë”, çfarë karte gjeostrategjike mund të luante si monedhë shkëmbimi në rrugën e saj për në BE? Asnjë për momentin, veçse ndoshta po të deklaronte një ditë se do të bashkohet me Kosovën dhe më pas të tërhiqej nga kjo aventurë gjeopolitike në shkëmbim të integrimit të saj në BE. Por fakti është se sot, Shqipëria, duke mos pasur asnjë “vlerë” kardinale për BE-në, është pikërisht te vlerat e saj reale në fushën e demokracisë të të drejtave të njeriut, në drejtësi e në ekonomi, që Shqipëria po analizohet me një lupë më të madhe se vendet e tjera kandidate. Ndaj, mjafton ky ekzaminim, qoftë i përciptë i hapave që ka bërë Shqipëria, që Franca të deklarojë si Holanda, se vendi ynë nuk është gati, ndaj nuk i hapim negociatat.

SHQIPËRIA, NJË VEND QË SJELL REFUGJATË DHE JO VLERË TË SHTUAR NË EUROPË

Dhe këtu vijmë te debati i djeshëm në Parlamentin francez mbi imigracionin. Që nga ardhja e Makronit në pushtet, Franca regjistron gati 25% më shumë kërkesa për azil. Pse? Klasa politike franceze e shpjegon me faktorin shqiptar. Shqiptarët, popull me 3 milionë banorë dhe pa luftë, janë bërë grupi i dytë i azilkërkuesve pas afganëve. Po ashtu, që prej ardhjes së Makronit në pushtet, klasa politike franceze po zbulon në kuadrin e debatit mbi imigracionin se buxheti për shërbime shëndetësore që Franca u kushton klandestinëve ka kapur shifrën e frikshme të 1 miliard eurove në vit. Pse? E pikërisht janë sërish shqiptarët që përmenden. Ata vijnë, kërkojnë azil në Francë, i cili, edhe po iu refuzua procedura, u shërben për t’u kuruar gratis në klinikat dhe spitalet franceze apo për të marrë ilaçe të shtrenjta falas nëpër farmaci. Turizmi mjekësor i azilkërkuesve shqiptarë është kthyer tani në një klishe që po përhapet me shpejtësi në qarqet politike franceze, duke i bërë një dëm të pallogaritshëm imazhit të Shqipërisë. Si mund të pranohet në Europë një vend që po na “rrjep” ende pa hyrë në Europë? Andaj, është e vështirë në këto kushte të besohet se Emanuel Makron mund të vërë firmën më 18 tetor për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Do të shkaktonte brenda vendit një polemikë e panevojshme në momentin kur Franca do të hyjë në fushatë zgjedhore për zgjedhjet bashkiake dhe bashkitë po caktohen si njësitë që do të duhet të përballojnë instalimin e azilkërkuesve.

NGA STATUSI I AZILKËRKUESIT TEK AI I EMIGRANTIT “TË RREGULLT” EKONOMIK, NJË FAT PËR SHQIPËRINË

Por nga një e keqe, mund të dalë një e mirë. Deputetët francezë po e kuptojnë se me shqiptarët, të cilët kërkojnë pa reshtur azil politik, nuk ka zgjidhje të arsyeshme. Kërkesa për azil, me abuzim apo jo, është një e drejtë e patjetërsueshme sipas Konventës së Gjenevës. Franca mund të veprojë thjesht duke shkurtuar në maksimum kohën për ekzaminimin e kërkesës për azil. Nga 12 muaj procedurë, sot, objektivi është që kërkesat për azil të shqiptarëve të ezaurohen në një kohë rekord, në më pak se tre muaj. Në këtë mënyrë, shqiptarët të cilëve u refuzohet kërkesa (thuajse të gjithëve), të kthehen sa më shpejt mbrapsht në Shqipëri dhe të mos abuzojnë me kurime mjekësore e ndihma të tjera sociale në Francë. Por e drejta e lëvizjes pa viza të shqiptarëve bën që këta të rikthehen ose që valë të reja azilkërkuesish të vijnë pa pushim, duke vazhduar ciklin e abuzimeve me ndihmat sociale, pasi kurimi falas u jepet pa asnjë limit klandestinëve që nuk kanë leje qëndrimi në Francë. Këtij paradoksi të madh të sistemit bujar francez, kërkon t’i japë fund qeveria me anë të debatit parlamentar, që u hap dje mbi imigracionin. Dy propozime serioze po dalin nga ky debat: i pari, të krijohet një politikë e përbashkët azili në BE me të njëjtat kushte trajtimi të azilit në çdo vend të BE-së. Dhe propozimi i dytë, i bërë dje nga Kryeministri francez në Parlament, është që Franca për herë të parë në histori të krijojë statusin e emigrantit ekonomik. Nisur nga konstatimi se shumë azilkërkues nuk kanë probleme lufte, por probleme ekonomike dhe e përdorin rrugën e azilit politik për të punuar në Francë, siç është rasti i shqiptarëve, atëherë do të ishte më e thjeshtë që Franca t’i njohë këta të huaj si emigrantë ekonomikë me një status të veçantë për këtë qëllim. Për më tepër, që ashtu si Gjermania, edhe Franca po ndjen nevojën e një fuqie punëtore të huaj për disa zanate. Që të krijohet ky status i ri, duhet, sipas Kryeministrit francez, që autoritetet franceze të përcaktojnë me qartësi tri gjëra: së pari, cilat janë aktivitetet ekonomike ku Franca ka nevojë për emigracion, së dyti, cilat mund të jenë kuotat që mund të presë Franca për emigracion të rregullt ekonomik, dhe së treti, cilat janë vendet e huaja nga të cilat Franca do të mirëpresë me prioritet emigracion ekonomik. Sigurisht, asgjë nuk u vendos në debatin e djeshëm në Parlamentin francez. Por një tabu është duke rënë. Nëse Franca shpall krijimin e statusit të emigrantit ekonomik, kjo do të thotë për shqiptarët se ata nuk do të figurojnë më në listat e azilkërkuesve, por do të trajtoheshin njësoj si ata 400 mijë spanjollët apo 500 mijë grekët që lanë vendet vitet e fundit, vendet e tyre në krizë ekonomike, për të punuar gjetiu në BE.

Por për aq kohë sa kjo masë nuk do të votohet, shqiptarët do të vazhdojnë të shihen me sy të keq, si hilacake, që u zënë vendin azilkërkuesve të vërtetë në Francë.

KONKLUZION

Përtej problemit të mprehtë të azilkërkuesve shqiptarë, përtej divergjencave midis Francës dhe disa vendeve të tjera evropiane, për sa i përket strategjisë mbi zgjerimin e mëtejshëm apo jo të BE-së, një e vërtetë i imponohet qeverisë shqiptare: ajo duhet të bëjë shumë më tepër që të zgjidhë të paktën dy problemet surrealiste të Shqipërisë, që asnjë vend tjetër në BE apo dhe kandidat për në BE nuk i njeh:

1- një drejtësi funksionale, pasi kurrkund gjetiu nuk bën vaki që gjykatat, duke filluar nga ajo Kushtetuese, të mos funksionojnë prej muajsh;

2- një kuadër zgjedhor funksional, pasi kurrkund gjetiu në Europë, nuk gjen një vend ku zgjedhjet nuk njihen nga pala humbëse, apo që Parlamenti të braktiset, si formë e mosnjohjes së zgjedhjeve.

Pak rëndësi ka kush e ka fajin, pasi si PSja dje në opozitë, ashtu dhe opozita sot e PD-LSI-së kanë lozur me të njëjtën fuçi baruti, atë të mosnjohjes së zgjedhjeve. Vendosja apo përmirësimi i këtyre dy binarëve themeltare të një demokracie, sistemi i drejtësisë dhe sistemi i zgjedhjeve, nuk është tagër i vendeve europiane, por i klasës politike shqiptare. Lëvizja për ndryshim mund të vijë vetëm nga një opozitë më e pjekur, pasi qeveria aktuale, edhe po nuk mori dritën jeshile për në Europë, është e sigurt se me këtë opozitë pasive dhe me këtë sistem zgjedhjesh, do të marrë dritën jeshile dhe për një mandat tjetër katërvjeçar, më 2021. Dhe ky nuk është “ngushëllim” fare i vogël për të…/ Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb