Debate në seancën e sotme plenare për “Open Balkan”. Deputetja e PD-së Flutura Açka duke iu referuar deklaratëss ë zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj tha se duhet ta korrigjojë pasi nuk ka marrëveshje politike pa Kosovën dhe sipas saj, kjo ishte dhe ajo që tha Gabriel Escobar.

Ndërkohë zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj deklaroi se vendi i Kosovës është atje, është vendimmarrja e Kosovës të marrë pjesë apo jo. Sipas tij, ishte fantastike sepse ishin 2 kryeministra shqiptarë dhe po të kishte qenë dhe Albin Kurti do ishin 3 dhe një tjetër që ka si shtyllë mbështetjeje faktorin shqiptar.

Açka: Doja vetëm t’i bëja një korrigjim të vogël zëvendëskryeministrit sepse në lidhje me Ballkanin e Hapur është në të mirën e tij t’ia bëj këtë korrigjim.
Këtu që tha kemi bekimin e Europës dhe Amerikës për Open Balkan. Nuk e di z. zëvendëskryeministër nëse e ndoqi z. Escobar, e tha shumë qartë që ka dy kushte. E para që të jenë të gjashta vendet, të ketë mirëkuptim ky Open Balkan dhe e dyta të jetë ekskluzivisht marrëveshje ekonomike. Dhe çfarë tha zëvendëskryeministri këtu?
Tha që është marrëveshje ekonomike dhe politike. Kështu që bën mirë ta kafshojë gjuhën herë tjetër kur është fjala për marrëveshje politike sepse këto janë njëçik kafshatë e madhe për ne Shqipërinë e vogël. Kjo nuk është marrëveshje politike sepse nuk ka marrëveshje politike pa Kosovën.

Ahmetaj: Patjetër të gjashta vendet. Për informacion SHBA-të dhe BE-ja janë mbështetës të plotë të Open Balkan. Të dy figurat dhe madje ambasadori amerikan në Beograd, Criss Hill ishte dje atje në mbështetje. Diferenca me CEFTA-n apo me të gjitha marrëveshjet e tjera, ishte që asnjë nuk ka të drejtë vetoje për të penguar tjetrin. Vendi i Kosovës është atje, është vendimmarrja e Kosovës të marrë pjesë apo jo. Ne si Shqipëri dhe kryeministri ynë që e ka iniciuar, praktikisht e ka bazuar në 4 liritë dhe në përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike, njerëzore, kulturore, politike të Ballkanit. Pas kaq e kaq vitesh Ballkani tani është vend normal, nga fuçi baruti. Vijnë serbët e bëjnë plazhin në Durrës dhe nuk ka asnjë problem. Shkojnë shqiptarët në Sarajavë, Shkup e gjetiu dhe nuk ka asnjë problem.
E keni parë ju ça fantastike ishte atje!! Po të ishte Albin Kurti apo kushdo qoftë kryeministër i Kosovës të ishte në atë tryezë, do ishin 3 kryeministra shqiptarë, një kryeministër shqipfolës dhe një kryeministër i cili një nga shtyllat e mbështetjes e kishte faktori shqiptar. Më thoni një herë në historinë e Shqipërisë që shqiptarët të kenë qenë më krenar dhe më të fortë se sot. Ajo tryezë do kishte 4 drejtues që flisnin shqip dhe shqiptarë. Krenari më të madhe për ne, për ju dhe shqiptarët nuk mund të ketë. Faktori shqiptar i fortë, shtet formues.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb