Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç për një media të Republikës Çeke ka zbuluar detaje nga debati i tij me Vjosa Osmani në samitin e Brdo-Brijunit në Slloveni.

Vuçiç thotë se e takoi Osmanin dhe shton se Presidentja e Kosovës shprehu interes për gjithçka, por vetëm për zgjidhje kompromisi jo.

Ai thotë se e gjitha kjo tregon se pala e Kosovës nuk është e interesuar për dialog.

Po ashtu Vuçiç deklaron se nuk pret ndonjë ndryshim nga politika e SHBA, pasi sipas tij ata e kanë njohur tashmë Kosovën dhe do të vijojnë të bëjnë presion ndaj Serbisë.

 

“Është e rëndësishme për ne që të zhvillojmë bisedime dhe ne jemi të interesuar në gjetjen e një zgjidhje kompromisi. Tani isha në Brdo afër Kranjit në Slloveni, në samitin e vendeve të Evropës Juglindore, ku takova Vjosa Osmanin, e cila shprehu interes për gjithçka, përveç për një zgjidhje kompromisi për Kosovën. Nëse qëllimi i tyre është të presin që dikush të bëjë presion ndaj Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe për të bërë akuza për gjenocid ndaj Serbisë dhe nuk e di se çfarë tjetër, atëherë unë nuk jam një optimist. E gjithë kjo tregon se pala tjetër nuk është e interesuar për dialog. Nëse mund të arrijmë me sukses një zgjidhje kompromisi, unë nuk e di për momentin dhe nuk e shoh si optimist. Shpresoj që një ditë të kemi sukses

Amerika e ka njohur Kosovën dhe nuk dëshiron të heqë dorë në atë drejtim. Kuptohet që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj Serbisë, ose unë nuk duhet të flas për presion por për kërkesën për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Por kjo është një kategori në politikën e jashtme amerikane që nuk po ndryshon dhe nuk pres ndonjë ndryshim ndaj nesh”, tha Vuçiç.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb