TIRANE- Debateve në distancë Nikolla-Kryemadhi i është bashkuar dhe deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi. Me anë të një mesazhi në rrjetin social ‘Facebook’ Boçi i ka ‘mbajtur’ anën deputetes së LSI-së, Monika Kryemadhi, se kritikat mbi Maturën Shtetërore nuk bëhen për disa vota më shumë, por për disa të vërteta më shumë.

Teksa pohon se shqetësimet e Kryemadhit janë të drejta, ai shton se janë si ‘kofili pas të vjelit’.

STATUSI I BOÇIT
E ndoqa debatin e zhvilluar në distancë mes Nikollës e Kryemadhit për maturën.
Po ndërhyj, jo për ca vota më shumë, as për të bërë avokatinë politike, por për ca të vërteta më shumë.
Shqetësimet e ngritura nga znj. Kryemadhi qëndrojnë, mgjs janë “si kofini pas të vjelit”.
E vërteta është që ishim ne (PD) që e kundërshtuam që në fillim maturën dhe procesin e ri të pranimit në Universitete, të lidhura këto me ndryshimet në Ligjin për Arsimin e lartë.
E kundërshtuam për të gjithë atë katrahurë që prodhoi dhe që pritet të përsëritet dhe sivjet.
LSI për hir së vërtetës, kërkoi modifikime për zbutjen e efekteve negative, por nuk u dëgjua nga partneri politik.

U realizua dhe një takim midis Nikollës e Kryemadhit, por që u shpërfill. Zërin nuk e ngriti shumë pas kësaj, sepse në fund të fundit hezitoi, pasi ishte ajo vetë (LSI) që kishte votuar, larg pritshmërive, ligjin e dyshimtë për Arsimin e Lartë. Ndërsa sot drejtuese e procesit të maturës është zv/ministrja Malaj!? Handikap shumë i madh ky për LSI! Mostrazimi dhe heshtja që ofron Ministrja, nga ana tjetër nuk është rruga e duhur e as rruga e së vërtetës. Përkundrazi, ngritja e problemit nga ne dhe nga kushdo që vjen, pavarësisht motivacionit, i shërben përgjegjshmërisë dhe vendimmarrjes, në favor të një procesi tërësor mature e pranimi sipas meritës, preferencës e transparencës. Maturantët nuk mund të nanurisen me fjalë të bukura, kur pritet të gjenden në mes të njëjtit kaos, “filmi” i të cilit me fund dramatik, është parë e është fare i freskët. Maturantët duhet të shpërblehen për investimin, mundin e djersën e tyre, gjë që formula e shpikur vjet nuk e realizoi dhe nuk e premton përsëri. Ligji i Arsimit të lartë bashkë më procedurat të tilla të mbrapshta, duhet të abrogohet.
Kjo është zgjidhja dhe jo retorika e përkohshme.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb