Ish-deputeti i PD Genc Pollo e cilëson debatin për datën e çlirimit, 28 apo 29 nëntori ‘pseudoshkencor, parapolitik dhe të padobishëm. Pollo kujton se17 vite më parë e kam arsyetuar këtë bindje duke sugjeruar që 17 nëntori, i pakontestuar si dita e eliminimit e të largimit të trupave të Wehrmacht-it nga kryeqyteti, të pranohej si ditë përkujtimore e çlirimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore.

Megjithatë ai thotë se do të kishte dashur shumë që orët e debatit mbi këtë datë, sivjet t’i ishin kushtuar nevojave të epidemisë, tërmetit, gjendjes së mjeruar social-ekonomike e kushtetuese si edhe rrugëdaljes që po shfaqet pas disa muajve.

POSTIMI I PLOTË
Shoh se ende vijon debati nëse dita e çlirimit të Shqipërisë apo e largimit të të sprasmit ushtar gjerman në nëntor 1944 ka ndodhur në 28 apo në 29 të atij muaji. Prej shumë vitesh kam bindjen se ky debat publik e politizimi i tij me pasojë ndrydhje të protokollit shtetëror është pseudoshkencor, parapolitik, i padobishëm e jo fort i denjë.

Në 30 nëntor 2003, në një artikull në të përditshmen Panorama, e kam arsyetuar këtë bindje duke sugjeruar që 17 nëntori, i pakontestuar si dita e eliminimit e të largimit të trupave të Wehrmacht-it nga kryeqyteti, të pranohej si ditë përkujtimore e çlirimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore. Kështu kanë vepruar edhe vende të tjera duke konsideruar simbolizmin e ngjarjes e mbase duke e pasur jo të lehtë të gjejnë ushtarin e fundit të një ushtrie në tërheqje përgjatë kufijve kilometrikë.

Sot nga një botim mbi këtë çështje nga Profesore Valentina Duka, mësoj se Manol Konomi, me arsyetim të ngjashëm, i propozoi më 5 nëntor 1945 Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar që dita e çlirimit të ishte 17 nëntori. Propozimi u refuzua dhe studimi dëften se si, prej asaj mbledhjeje, dita e çlirimit u zhvendos gradualisht përmes manipulimeve e falsifikimeve në 29 nëntor! Që Enver Hoxhës të mos i bënte hije Ismail Q. Vlora!

Dita e Çlirimit duhet njohur e kujtuar; për këtë ka konsensus shoqëror e politik. Edhe pasojat e tmerrshme të regjimit (apo pushtimit) që u vendos njëkohësisht me çlirimin duhen debatuar e trajtuar hapur e duke marrë masat përkatëse. Edhe për këtë kemi konsensus shoqëror e kemi, ose lipset të kemi, konsensus politik.
Do të kisha dashur shumë që orët e debatit mbi këtë datë, sivjet t’i ishin kushtuar nevojave të epidemisë, tërmetit, gjendjes së mjeruar social-ekonomike e kushtetuese si edhe rrugëdaljes që po shfaqet pas disa muajve.

Artikulli i ribotuar
Në romanin e tij “Rreth botës për 80 ditë” francezi Zhyl Vern paraqet në mënyrë interesante kontrastin midis natyrës flegmatike e të përmbajtur të anglezëve dhe asaj sanguine-eruptive të stërnipërve të tyre të lindur e rritur në Botën e Re. Kujtdo që e ka lexuar këtë roman aq popullor në kohën e adoleshencës time do t’i ketë mbetur në kujtesë habia deri ne mospëlqim që Fileas Fogu, gjatë turit të tij të famshëm rreth globit, vrojtoi në një qytet të bregut perëndimor të Amerikës: dy turma të mëdha fansash politikë që marshonin nëpër qytet duke brohoritur të egërsuar e duke tundur pankarta e diku edhe këpucë të zbathura nga këmbët dhe që falë përpjekjeve të mundimshme të policisë nuk binin në kacafytje. Ishte prezantimi me nje garë për guvernatorin e shtetit; një fushatë që ishte shumë larg shijes së vizitorit londinez dhe shumë e ndryshme nga tradita e debatit te sjellshëm të vendit të tij Komentet e Fogut për të janë nga më të kripurat e gjithë romanit.

Do të isha shume kurioz të dija, madje do të jepja shumë të mesoja se cdo të shkruante romancieri freng, cilin „Fileas Fog „ do të dergonte ai fiktivisht si vizitor në Dheun e Shqipeve sikur të ishte njohur me disputin rreth datës se clirimit të Shqipërisë nga Nazifashizmi. Që një disputë e tillë, edhe ne sfondin e një gare për një ofiq te pushtetshëm si ai i guvernatorit të një shteti te SHBA, përbën një asortiment të përsëritur nga panairi i kotësive së politikës shqiptare për këtë do të binte dakord çdo lexues i arsyeshëm me ose pa parti. Por në këtë shkrim nuk do të doja të mjaftohesha me një konstatim të përsëritur për produktet e panairit në fjalë dhe as të thellohesha në arsyet pse politika jonë rrallëherë del nga rrethi vicioz i debatit të rremë. Një ese rreth Ditës së Çlirimit dhe festimit dinjitoz të saj do të ishte më e vlefshme.

Së pari që ta nisim nga të mirat: duhet të them se për fat të mirë të tëra autoritet e larta shtetërore e të gjitha forcat politike parlamentare (përfshi edhe ato që me apo pa të drejtë janë akuzuar për kolaboracionizëm) si dhe shoqatat e ndryshme të veteranëve dhe të ish të përndjekurve politikë shprehin vlerësim të lartë për rezistencën antifashiste e nderim për dëshmorët e kësaj lufte. Debati historiografik me jehonë politike për rolin e Konferencës së Pezës, prapaskenat e asaj të Mukjes, shkallën e kolaboracionizmit të disave apo natyrën dhe motivet e kuislingëve shqiptarë nuk e cenojnë këtë konsensus të vyer. Por përse është debati? Lidhur me përcaktimin e datës kur ushtari i fundit i Wehrmachtit gjerman është larguar nga Shqipëria, datë e cila u dashka të jetë edhe Dita e Çlirimit. Regjimi i Enver Hoxhës e kishte përcaktuar këtë datë pa shumë diskutime më 29 nëntor 1944. Çdo vit këtë ditë për 45 vjet u kremtua festa zyrtare më e rëndësishme e Shtetit; festë e cila qëllimshëm linte në rang të dytë Ditën e Ngritjes së Flamurit dhe Shpalljes së Pavarësisë që festohej më 28 nëntor. Jepej qartazi kështu simptoma e parë e mentalitetit komunisto-revolucionar se historia fillon me ne.

Në vitin 1992 pushteti i Partisë Demokratike në vijim të përpjekjeve të drejta e të nevojshme të çmontimit të simbolikës së regjimit të vjetër përcaktonte si datë të Çlirimit 28 nëntorin. Këtij vendimi parlamentar i parapriu një studim nga historianë të njohur që afirmonin se ushtari i fundit gjerman kishte kaluar kufirin më 28 nëntor por Enver Hoxha për t’i pëlqyer Beogradit e kishte spostuar më 29 nëntor, datë e konferencës së AVNOJ-it që u shpall ditë e themelimit të Jugosllavisë titiste dhe festë kryesore zyrtare e saj.

Partia Socialiste e kthyer me dufmë ne pushtet verën e vitit 1997, në përpjekjet e saj restauruese nuk guxoi të shkonte aq larg sa Enver Hoxha për ta shpallur Ditën e Çlirimit si festë kryesore të shtetit por sidoqoftë e spostoi përsëri aty ku e kish përcaktuar Enveri, pra më 29 nëntor. Edhe kësaj radhe nuk munguan historianë të tjerë qe rikonfirmonin saktësinë e datës 29 nëntor.

Qysh atëherë shqiptarët shohin në ekrane se si kjo datë festohet në ditë të ndryshme por të njëpasnjëshme duke dhënë modelin e një dasie te panevojshme pasi divergjencat politike normale ne pluralizëm janë për çështje aktuale dhe shprehen ne parlament por gjithsesi ato nuk I cenojnë ceremonitë solemne.

Por të kthehemi tek debati për datën 28 apo 29 nëntor. Autori i këtyre radhëve i përket nga formimi zejes se historianëve, të atyre të gjallëve që marrin përsipër të shkruajnë bëmat e të vdekurve. Si i tillë me gjithë modestinë e duhur dhe respektin për kolegët më të moshuar e të profilizuar që janë shprehur për një nga këto data, dua të them se është ahistorike dhe joshkencore të përpiqesh te verifikosh në se te fundit fare ishin tre gjermanë në tricikël që u panë të martën në Koplik apo një autoblindë me gjashtë syresh që u vu re të mërkurën në Bajzë. Për më tepër që tërheqja e një ushtrie në disfatë nuk është kurrë e rregullt si një paradë trupash ne bulevard për të cilën mund të thuhet me siguri e saktësi se fillon të dielën në orën 12.00. Sa do dokumente të sjellësh është e vështirë të determinosh një fakt të tille. Para dy vjetësh, valën e këtij debati qe kaplon vendin çdo vjeshtë të tretë, u publikua një dokument i cili shënonte 4 dhjetorin si ditë e tërheqjes finale të gjermanëve.

Po sikur në të ardhmen të zbulohet se një skuadër postblloku e mbetur prapa korpusit të saj është larguar nga Kukësi drejt Prizrenit më 7 dhjetor. A do ta quanim këtë datë të vlefshme për festë kombëtare? Apo do të dëgjonim argumentimin se juridikisht në atë kohë kufiri i Shqipërisë nuk ndodhej në Morinë por diku në veri të Mitrovicës duke dhënë kështu një shembull të mirë se si akademikisht mund të mbytesh në një pikë ujë. Edhe vende si Bullgaria e Bashkimi Sovjetik, apo edhe Franca që ka një kufi lumor të qartë me Gjermaninë nuk i janë futur sprovës së gjetjes së datës së largimit të të fundmit ushtar pushtues, pasi e kanë pasur të qartë se kjo është si të kërkosh gjilpërën në kashtë. Vendet aleate njohën si ditë të fitores së tyre 9 majin kur kapitulluan njësitë e fundit rezistuese të Wehrmacht-it. Ndërsa vendet që vuajtën pushtimin si ditë simbol kane përzgjedhur atë të çlirimit të kryeqytetit të tyre. Pse të mos jetë ky një shembull i mirë për t´u ndjekur edhe nga ne? Data 17 nëntor e çlirimit të Tiranës është jo vetëm e pakontestuar nga askush, por ku e ku historikisht më e rëndësishme sesa çlirimi i fshatit Hot që praktikisht shënon 28 apo 29 nëntori. Askush ndër ata që me pasion mbron njërën apo tjetrën datë të fund nëntorit nuk do të mbetej i fyer apo lënduar nga një ditë e tillë dhe simbolika e saj. Dhe publikut do t´i bëhej një shërbim i mirë pasi do t’i kursehej një pseudotemë dhe një ushtrim politik shterpë. Ndërsa objektit të përkujtimit – Luftës Nacionalçlirimtare dhe të rënëve të saj – do t´i bëhej një nderim më i madh duke i dhënë ceremonisë së tyre një hije dinjitoze. Por sinqerisht nuk shoh sesi një propozim i tillë i inicuar nga një forcë politike do të mirëpritej nga tjetra. Besoj se do të ishte roli par exellence i Presidentit të Republikës si figurë mbi palët dhe titullar I ceremonive solemne shtetërore, lancimi dhe konkludimi i suksesshëm i një iniciativë të tillë. Veprimi i tij në një kohë e mënyrë që e gjykon të përshtatshme do të ishte një kontribut që atij i takon të japë. Duke vendosur kështu edhe një precedent tjetër pozitiv.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb