Teksa e gjithë vëmendja është rikthyer tek raporti i Dick Marty për krimet e luftës në Kosovë, që akuzon luftëtarë të UÇK dhe drejtues politikë të saj per disa akuza, ish-presidenti Behgjet Pacolli ka risjellë në vëmendje një letër drejtuar më 9 janar të 2011-ës Sali Berishës, në atë kohë kryeministër.

Në letrën në fjalë, Pacolli i ka kërkuar Berishës, që qeveria shqiptarë mos të mbështesë raportin e Marty, i cili i hapi rrugë dhe krijimit të Gjykatë Speciale në Hagë, ku aktualisht në bankën e të akuzuarve janë zërat më të fortë të politikës kosovare, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, si dhe Kadri Veseli. Pacolli i ka kërkuar Berishës mbledhjen e një tryeze mbarëkombëtare të krerëve të partive parlamentare shqiptare, ku duhet të diskutohet për një dokument politik, një letër drejtuar të gjitha kancelarive perëndimore në emër të kombit shqiptar. Në këtë letër ne duhet të kërkohej hedhja poshtë e projektit të Martyt, të Serbisë, e pse jo dhe të ndonjë sponsori të saj për të fajësuar kolektivisht shqiptarët si komb.

Ndër të tjera Pacolli theksonte se është me rëndësi që të koordinoheshin me Perëndimin për hapat e nevojshëm në hedhje poshtë të projektrezolutës dhe për pasojë të raportit famëkeq të Dick Marty-t

“Ne i pranojmë hetimet vetëm nga institucionet ekzistuese të mandatuara për hetim si EULEX-i, në bashkëpunim me prokurorinë e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ne mund të pranojmë dhe një grup ekspertësh me renome ndërkombëtare që të zhvillojnë këtë hetim, brenda kuadrit ligjor ndërkombëtar.”, thuhet në një pjesë të letrës.

Kujtojmë se qeveria shqiptare votoi pro miratimit të këtij raporti në atë kohë.

LETRA
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë,
Shkëlqesisë së tij, zotit Sali Berisha
I dashur kryeministër i vendit amë,
Duke vlerësuar përparimet e Shqipërisë nën drejtimin Tuaj, në emër të Koalicionit Kosova e Re, një koalicion partish ku bëjnë pjesë një numër i madh personalitetesh të shoqërisë sonë, nga shoqëria civile, lufta çlirimtare, bota akademike, biznesi, etj, do të kërkoja ndihmën Tuaj për një shqetësim të përbashkët kombëtar. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin raport të parlamentarit zviceran Dik Marty, i cili synon të njollosë kombin tonë me akuza të neveritshme për ndërgjegjen njerëzore siç është trafiku i organeve.

Ky angazhim imi në drejtim të mbrojtjes së imazhit tonë kombëtar ka një vijimësi të hershme, madje dhe në lidhje me akuzat që Dik Marti i rimori prej koleges së tij Karla Del Ponte. Por sot jemi në një situatë të re. Me raportin e tij Dik Marti arriti “sukses me tituj mediesh” siç thoshte ish sekretari britanik i shtetit për Evropën, Denis MC Shane. Ndërkohë sot ai po synon të shndërrojë në dokument politik, në rezolutë të KE-së, një tekst plot akuza për kombin shqiptar dhe Perëndimin. Ky zotëri, me mbështetjen e Serbisë, për të cilën nuk e ka fshehur kurrë simpatinë, synon që Këshilli i Europës në një situatë paprecedent t’i japë urdhra Bashkimit Europian për të provuar fajësinë tonë!
Siç e keni thënë dhe Ju, ky tekst është riciklim i akuzave të Beogradit, që janë më të hershme, Ato përfshijnë mes tyre dhe akuza që fajësonin deri dhe ish kryeadministratorin e parë ndërkombëtar të Kosovës, ish ministrin e jashtëm të Francës, dr. Bernard Kushner si pjesëmarrës në operacione për heqjen e organeve, robërve serbë apo dhe NATO-n që ofronte baza në Gjermani për këto operacione! (gazeta serbe Kurir në 2006). Pastaj u akuzua ish kryeministri Rexhepi, për shkak të kaluarës së tij si mjek, etj, etj shpifje që mesa duket nuk paskan mbaruar. Kjo situatë është krijuar dhe falë një apatie të shtetit tonë të ri të dëshiruar për marrëdhënie paqësore me fqinjët.

Gënjeshtra është si vaji, ajo pluskon mbi të vërtetën, ka thënë një poet polak. Prej një kohe bukur të gjatë ne nuk i kemi kërkuar llogari fqinjit tonë verior, Serbisë, për dhjetra mijë qytetarët tanë të vrarë, trupat e të cilëve janë futur dhe në furra fabrikash; për qindra të zhdukurit; për qindra mijë shtëpitë e dëmtuara; qindra objektet e kultit të shkatërruara, për ekonominë e rrënuar, prej trupave të rregullta dhe paramilitare të këtij vendi. Askush nga ne, nuk ka vënë kusht kërkesën e faljes prej Serbisë para çdo procesi negociatash. Përkundrazi, ne po lejojmë që Serbia të shpikë gënjeshtra që po pluskojnë mbi të vërtetën tonë tragjike të gjenocidit serb mbi shqiptarët!
Në këto kushte, ne duhet të reagojmë për t’ia hequr njëherë e mirë nga supet kombit tonë këto akuza të ricikluara. Ne e vlerësojmë shumë faktin se Ju vendosët personalisht të shkoni në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në 24 janar për t’i hedhur poshtë këto akuza.

Në përpjekjet e mia në favor të kauzës sonë kombëtare që shkojnë nga lobimi për pavarësi, tek ai për njohjet e shtetësisë së Kosovës prej 26 vendeve, unë e konsideroj angazhimin për rrëzimin e projektrezolutës së Martit, dhe për pasojë dhe të raportit të tij, si angazhim jetik. Nga bisedat e mia me kolegë, edhe në Shqipëri, ku dua të përmend zotin Shpëtim Idrizi, kryetarin e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, nga konsultimet me ekspertë, me diplomatë të shquar, ne kemi arritur në përfundimin se akuzat formalisht të Dik Martit mund të hidhen poshtë me një akt të vetëm: rrëzimin e projektrezolutës së tij në 24 janar. Kuptimi simbolik i këtij rrëzimi do të ishte se bota, se Europa e qytetëruar nuk i besoi këtyre akuzave. Për këtë qëllim ne mendojmë se duhet punuar në këto drejtime:
1. Thirrjen nga ana Juaj të një tryeze mbarëkombëtare të krerëve të partive parlamentare shqiptare, ku duhet të diskutohet për një dokument politik, një letër drejtuar të gjitha kancelarive perëndimore në emër të kombit shqiptar. Në këtë letër ne duhet të kërkojmë hedhjen poshtë të projektit të Martit, të Serbisë, e pse jo dhe të ndonjë sponsori të saj për të fajësuar kolektivisht shqiptarët si komb.
2. Ne duhet të koordinohemi me Perëndimin për hapat e nevojshëm në hedhje poshtë të projektrezolutës dhe për pasojë të raportit famëkeq të Dik Martit.

3. Ne duhet të shprehim gatishmërinë për hetime ndërkombëtare, por jo sipas urdhrave të Dik Martit, që kërkon t’ia atribuojë këto urdhra Këshillit të Europës. Ne i pranojmë hetimet vetëm nga institucionet ekzistuese të mandatuara për hetim si EULEX-i, në bashkëpunim me prokurorinë e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ne mund të pranojmë dhe një grup ekspertësh me renome ndërkombëtare që të zhvillojnë këtë hetim, brenda kuadrit ligjor ndërkombëtar.
Unë e di se një pjesë të këtyre hapave Ju, shteti amë, keni nisur t’i bëni prej kohësh. Por në optikën time, që i sheh tre momentet brenda një qasjeje integrale, takimi mbarëkombëtar është thelbësor. Ai do të tregojë forcë, unitet, duke mos rënë pre e qëllimeve të ulëta të ideatorëve të raportit për të përçarë faktorët politikë të hapësirës sonë kombëtare. Ju zotëri Sali Berisha keni autoritetin personal t’i thirrni liderët e kësaj hapësire në një tubim mbarëkombëtar.
Nga ky tubim, unik në historinë e pluralizmit në viset tona, nga ky demonstrim i unitetit dhe forcës së faktorit shqiptar përballë akuzave monstruoze të Serbisë, Perëndimi do ta kuptojë forcën tonë si faktor i përbashkuar, forcën e aleatit më të mirë të perëndimorëve në Ballkan. Bashkimi i forcës sonë me ofrimin e së vërtetës mbi akuzat e Martit, do të prodhojë forcën e të vërtetës!
Unë jam i bindur se Ju zoti Berisha do ta pranoni këtë ide, të njoftuar publikisht nga një artikull që botova sot. Jam i gatshëm të udhëtoj në Tiranë për t’Jua paraqitur më detajisht iniciativën. Besoj shumë se Ju do ta jetësoni takimin para udhëtimit Tuaj në Strasburg. Unë do doja shumë ndërkohë që kolegët e mi të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë, e cila ka gjithashtu delegacion parlamentar në Këshillin e Europës, të kapërcejnë dasitë e tyre politike të brendshme dhe t’i përgjigjen kësaj thirrje Tuajës. Nga simbolika e këtij takimi, me vlerë kombëtare, kur të shohim sa shumë jemi, dhe sa mirë do ndihemi bashkë, do të dalin mesazhe me vlerë për të gjithë!

Me bindjen e thellë në mirëkuptimin Tuaj,
Me respekt,
Juaji Behgjet Pacolli
Prishtinë, 9 janar 2011
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: