Një përballje e tensionuar mes analistëve Fatos Lubonja dhe Dritan Hila u zhvillua në studion e emisionit “Open”, ku tema kryesore ishin investimet në Shqipëri dhe mënyra se si po zhvillohet turizmi në vend.

Hila argumentoi se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në ekonomi dhe turizëm, duke kritikuar ata që sipas tij, nuk arrijnë ta vlerësojnë këtë progres. “Shqipëria ka bërë përpara, vetëm ca si puna jote nuk e shohin këtë,” tha Hila, duke iu drejtuar Lubonjës.

Lubonja, nga ana tjetër, kundërshtoi këtë qëndrim, duke vënë në dyshim mënyrën se si po menaxhohen burimet natyrore dhe projektet infrastrukturore. “Shiko Palasën, ishin perla. Jashtë ruhen me fanatizëm, nuk ndërton dot më shumë se një kat apo dy. Çfarë bëjmë ne? E shkatërrojmë dhe mendojmë se bëjmë turizëm,” theksoi Lubonja.

Debati mori tone më të ashpra kur u diskutua për rolin e qeverisë në këto projekte. Lubonja kritikoi qasjen qeveritare dhe përqendrimin e vendimmarrjes tek kryeministri Edi Rama. “Nuk pyeten as specialistë, vendos Edi Rama për çdo gjë,” tha ai.

Hila iu kundërpërgjigj duke thënë se projektet aktuale janë pjesë e një perspektive afatgjatë që çdo qeveri serioze duhet të ndjekë. “Kulla do bëhen këtu, siç i ka bërë Athina, Beogradi. Do ndërtohen edhe termocentrale. Është projekt serioz,” tha Hila.

Lubonja nuk kurseu as ironinë ndaj Hilës. “Mos na merr shembujt e plehrave të Evropës! Ik se latë nam! Për një krodhe buke latë nam!” u shpreh ai.

Diskutimi vazhdoi me argumente dhe kundër-argumente të forta, duke reflektuar polarizimin e thellë mbi çështjet e zhvillimit dhe investimeve në Shqipëri. Ndërsa Hila mbrojti projektet si një domosdoshmëri për progresin, Lubonja ngriti shqetësime për shkatërrimin e trashëgimisë natyrore dhe menaxhimin e dobët të burimeve.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb