Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj iu është bashkuar reagimeve për debatet që u prodhuan pas letrës së Autoritetit të Dosjeve që implikon ish-presidentin Ilir Meta si pjesë të Sigurimit të Shtetit.

Gjekmarkaj, teksa bën thirrje që të hapën të gjitha dosjet pa përjashtim thekson se akuzat për Metën janë ‘levë Arkimedi’ për të goditur kundërshtarin në këto momente kur ai sapo ka krijuar forcë politike të re.

REAGIMI
Nëse ke një gjë me të cilën është luajtur piset në vendin tonë janë dosjet e sigurimit të shtetit. Ato rikthehen me stinë sa herë e kërkon diskursi politik. Ato do duheshin hapur që në vitin 1992, të gjitha pa përjashtim. PD e asaj kohe kishte një super maxhorancë. Në dritën e diellit duhej të dilte e keqja e 45 viteve përtej faktit kush paguan çmim më të lartë a më të ulët. Po kaq duhej ligj për punëtorët e sigurimit të shtetit, gjithë hierarkinë e tij, hetues, prokurorë e gjyqtarë të komunizmit. Po këto nuk ndodhen! Arsyet kuptohen. Përdorimi i tyre ishte qëllimi. PS ka qenë më e ftohtë ndaj këtij fenomeni duke i konsideruar kontingjentin jo të vogël elektorat e mbështetës politikë. Të gjitha shanse të humbura. E shkuara nuk bëhet më me ndoshta e sikur. Dosjet duhen hapur, të gjitha, më mirë vonë se kurrë. Politika, administrata, diplomacia, policia, ushtria, drejtësia duhen pastruar nga bashkëpunëtorët dhe punëtorët, nga hierarkët e makinës shtypëse të regjimit. Ja ku jemi sot pas 32 vitesh dhe tema rikthehet por jo nga pozita etike. Thjesht nga pozita politike. Prej ditësh flitet për një dosje të I M. Qeveria përpiqet ta lidhe atë me emrin e ish-Presidentit Ilir Meta fakt të cilin ai e ka kundërshtuar në mënyrë energjike. Unë se di të vërtetën dhe nuk marr përsipër të bëhem zëdhënës i saj, por mosbesim kam të drejtë të kem duke gjykuar kontekstin politik kur argumenti u shfaq dhe u bë monopol i debatit publik. Ilir Meta sapo la presidencën dhe rithemeloi partinë e tij LSI në “Parti të Lirisë” duke shfaqur ambicie të madhe opozitare u përball me ketë ngjarje. Duke e konsideruar momentin “leve Arkimedi” për të goditur kundërshtarin krejt makineria e mazhorances shpërtheu në iniciativa përmes Taulant Balles e Klotilda Bushkes duke kompleksuar pjesën e deputetve që nuk i janë bashkuar “Foltores”. Ata me propozimet e tyre po duken në të njëjtën gjatësi vale me Qeverinë e cila ka ngut të shprehe kënaqësi për propozimet tona. Momenti, iniciativat dhe mënyra e sjelljes, e pamiratuar nga grupi për këtë çështje po e shfaq atë (grupin) me pa të drejtë si orkestër të qeverisë në karadyzenin e ditës. Deklaratat përqafojnë njëra -tjetrën pavarësisht nga cili kamp nisen. Ndjeshmëria e kësaj teme e vë në vështirësi një grupim të djathtë në shah-matin e përditshëm, por duhet gjetur forca për t’i ikur përdorimit i cili ka për qellim diversionin mbi opozitën. Sa për dosjet ato duhen hapur të gjitha pa përjashtim. Kjo është njëra ana, tjetra makina shtypëse e diktaturës punëtoret e saj duhen lustruar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb