Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci mbajti të shtunën një konferencë për media rreth përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2022-2023.

Nagavci u shpreh se Ministria e Arsimit, në koordinim me komunat, drejtoritë e arsimit dhe shkollat kanë bërë përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2022-2023. Gjatë konferencës për mediat ajo tha se të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën do të pajisjen me tekste të reja dhe se është përmirësuar infrastruktura fizike në shumë shkolla, teksa dha informacione për përgatitjet për vitin shkollor.

“MASHTI në koordinim me komunat dhe drejtoritë dhe shkollat I ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin shkollor. Jam e njoftuar se edhe shkollat janë gati për fillimin e ri shkollor”, deklaroi Nagavci.

Gjatë kësaj konferencë Nagavci foli edhe mbi grevën e paralajmëruar më 25 gusht të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), e cila rrezikon edhe mbajtjen e testit të Maturës Shtetërore që pritet të mbahet më 27 gusht.

Nagavci u shpreh se greva e paralajmëruar nga Sindikata për Arsim i dëmton nxënësit dhe se humbja e mësimit shkel të drejtën e nxënësve për arsim.

“Kemi ndjekur deklarimet e ditëve të fundit që Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar grevën më 25 gusht, duke e pranuar se e njohim organizimin sindikal, kërkesat për kushte më të mira të punës, vetë këto që i përmenda janë disa nga veprimet që i kemi ndërmarrë që të lehtësohet puna e mësimdhënësve. Mos-mbajtja e mësimit i dëmton më së shumti nxënësit dhe shkel të drejtën e tyre për arsim. Humbja e mësimit është cenim i së drejtës themelore e fëmijëve për arsim dhe për ne është e papranueshme sepse në vazhdimësi po punojmë që të ofrojmë mbështetje për mësimdhënësit dhe përmirësimin e rezultateve në arsim”, është shprehur Nagavci në konferencë për media.
Lidhur me kërkesat e SBASHK, ministrja Nagavci tha se në Projektligjin e ri për paga i cili tanimë është në diskutim paraprak, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë.

Ajo ka komentuar edhe debatin e bërë rreth lejimit të shamisë në shkolla, duke thënë se nuk ka një udhëzim për shaminë. Për ketë çështje ministrja tha se është e përcaktuar qartë karakteri i shtetit dhe institucioneve të Kosovës.

“Sa i për Udhëzimit administrativ, është fol shumë kohëve të fundit. Dua të bëjë të qartë se nuk ka ndonjë udhëzim administrativë për shaminë, nuk ka pas asnjëherë me sa unë e di. E gjithë kjo fushatë që është ngritur kohëve të fundit, nuk është të themi e bazuar dhe e qëndrueshme. Është e përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe i institucioneve publike. Udhëzimi administrativ të cilit i kanë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta. Është vërtetë që ky udhëzim administrativ që ka disa çështje ligjore, sepse preambula të cilës i referohet nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MASHT-it. Por e vërteta është që rekomandimet janë dhënë që ai Udhëzim të mbetet në fuqi, ne nuk mund ta ndryshojmë një nen specifik. Udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe do të shohim tutje vetëm në aspektin formal ligjor”, përfundoi Nagavci./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb