TIRANE- Prej një jave në objektin që po rikonstruktohet në Parkun e Butrintit, gjë e cila ngjalli mjaft debate, janë ndalur punimet. Këtë e ka shprehur ministrja Mirela Kumbaro në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”. Ajo thotë se përmes një shkrese zyrtare ka kërkuar ndalimin e punimeve, dhe jo pezullimin e tyre, deri në një moment të dytë, kur të shterohen të gjitha pyetjet dhe debatet për këtë çështje.

“Punimet kanë filluar që në muajin gusht. Por në fillim të kësaj jave unë kam kërkuar përmes një shkresë të ndalohen punimet për objektin në park (jo pezullim) me bindjen që vlen, se duhet të sqarohen të gjitha pyetjet, nga të gjithë faktorët, nga të gjithë aktorët dashamirës, apo dashakeqës, dhe kjo për një rëndësi që unë i jap transparencës dhe opinionit publik. Kur të shterohen të gjitha pyetjet do të vijohet me punimet”, tha ministrja Kumbaro.

Ajo tha se “punëtorët janë larguar, vetëm disa prej tyre po punojnë për mbulimin e sitit, për të mos u dëmtuar materialet nga agjentët atmosferikë”.

Sakaq, ministrja Kumbaro i është përgjigjur edhe akuzave se ka konflikt interesi me operatorin që po kryen punimet.

“Unë kam kërkuar të më provohen konfliktet e interesit me firmën që po operon. Jam e gatshme të përballem me faktet, le t’i drejtohen organeve përkatëse. Për mua këto janë shpifje”, theksoi ministrja.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb