KORÇË- Gjykata ka dënuar me 300 mijë lekë gjobë Arben Hysenin, ish-zëvendës drejtor i policisë së Korçë. Hyseni u dënua për veprën penale “Kryerje të veprimeve arbitrare”.

Gjithçka nisi pas një debati për gërvishjen e një automjeti. Në muajin prill të këtij viti, vetëm 50 metra nga qendra e qytetit të Korçës, Tomi Misha përplasi nga pas makinën e zv.drejtorit të Policisë, Arben Hyseni, çka solli një debat mes tyre. Pak çaste më vonë në vendngjarje mbërriti një makinë policie me dy efektivët Memelli e Blushi, të cilët u afruan për të parë më nga afër situatën në të cilën ishte përfshirë eprori i tyre.

Duke iu referuar videos së përcjellë nga një filmim amator, pas lëvizjes së mjeteve pak metra më tej për të liruar rrugën, efektivi Memelli ka qëlluar me shpulla 33-vjeçarin Misha. Ngjarje kjo që ka ndodhur para syve të zv.drejtorit Hyseni si dhe të efektivit tjetër Blushi, i cili i mbante duart Mishës. Pas këtyre skenave, në vendngjarje ka mbërritur edhe vëllai i Mishës, Ernest Misha, i cili, pasi ka parë dhunën e ushtruar ndaj të vëllait, në përpjekje për ta ndihmuar atë ka ushtruar dhunë fizike ndaj efektivit Memelli.

Pas këtij momenti ka ndërhyrë Hyseni për të neutralizuar situatën, por Ernest Misha, në bazë dhe të rrëfimeve të një dëshmitari okular, është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke u shpëtuar policëve. Sakaq, fill pas kësaj ngjarje, ish-efektivi i policisë ka mohuar se ka ushtruar dhunë ndaj këtyre personave.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: