TIRANË- Akademiku dhe Rektori i Universitetit “Luarasi” Arben Malaj, i cili u përfshi sot në debatin për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm nga Bashkia e Tiranës, sqaron pozicionin e tij.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, Malaj tha qartë se uji duhet trajtuar si një e drejtë humane.

Nisur nga kjo, ai theksoi edhe njëherë se duhet të ketë strukturim të tarifave, por duke mbrojtur shtresat në nevojë.

“Patjetër që duhet të njihet dhe të sigurohet mbështetje për shtresat në nevojë. Politikat sociale nuk i ofrojnë apo garantojnë kompanitë e shërbimeve por qeveria qendrore dhe lokale. Përfshirja sociale është sot parimi kryesor i çdo reforme, çka në thelb kërkon që të mos goditen shtresat e varfra”,- sqaroi Malaj.

Sipas tij, politikat e Bashkisë së Tiranës duhet të jenë të tilla që asnjë individ apo familje shqiptare në vështirësi të mos penalizohet.

“Asnjë individ apo familje shqiptare në vështirësi të mos penalizohet por nga ana tjetër në emër të tyre nuk duhen penguar reformat”,- shtoi Malaj.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: